Gjykata i ka sekuestruar në Vlorë, Luan Beshajt 72 vjeç, disa pasuri me vlerë 500 000 euro pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.
Përmes një njoftimi, policia sqaron se janë sekuestruar, 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum, 1 pemishte në Radhimë, 2 automjete dhe 2 llogari bankare.
Sipas Policisë Luan Beshaj ka qenë më herë i dënuar për trafik droge në Itali dhe që prej vitit 2014 ai ka qenë nën hetim për pastrim parash.
Njoftimi i Policisë:
Sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.
Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur prej vitit 2014, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si më poshtë:
• 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum; • 1 pemishte në Radhimë; • 2 automjete; • 2 llogari bankare;
Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 500 000 euro. Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit L. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ky shtetas ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.
Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.