Në Shtator 2019, kompania “Classic” e Agron Papulit ka fituar një tender me vlerë rreth 1 miliardë lekë të vjetra, pasi fituesi i garës, vendosi që të tërhiqej nga përfitimi.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE) shpalli në Gusht 2019 tenderi për marrje me qera operacionale për 3 vjet, me vlerë 91.728.000 lekë.
Në tender marrin pjesë dy kompani: ‘Classic”, me pronar Agron Papulin dhe ‘Hyundai Auto”, në pronësi të biznesmenit Ilir Zeka, por që për Partinë Demokratike në opozitë, edhe pas kësaj kompanie fshihet Papuli.
Në bazë të dokumentave zyrtarë, kompania “Hyundai” ka dhënë ofertën më të mirë ekonomike, duke u shpallur e para në tender. “Hyundai Auto” ka paraqitur ofertën 86.400.000 lekë, kundrejt 88.060.000 lekë të ofruar nga “Classic”.
Por, pasi u shpall e para në renditje, “Hyundai” vendosi të tërhiqet, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë konkurentit tjetër për të qenë fituesi i tenderit me vlerë afërsisht 1 milion dollarë.
Janë kryer verifikimet në Buletinët e Prokurimit Publik për vitin 2019, për tenderat ku është përfshirë kompania “Classic”.
Në pjesën më të madhe të këtyre tenderave të verifikuar, rezulton se kompania në pronësi të Agron Papulit ose ka qenë pjesëmarrëse e vetme, ose është shpallur fituese përballë një konkurrenti të vetëm, i cili është skualifikuar për mungesë dokumentacioni.
Kompania “Classic” ishte objekt i një qëndrimi zyrtar të Departamentit të Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, në Korrik 2019, për shkak të një tenderi të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj.
Sipas një statusi në rrjetin social në “Facebook”, Departamenti Antikorrupsion i PD-së ngrinte dyshime për tenderin e zhvilluar nga bashkia e Tiranës për marrjen me qera operacionale të disa automjeteve.
“...Dhe vijmë tek tenderat në modë: marrje me qira e automjeteve për nevoja të bashkisë, me vlera të konsiderueshme. Merr pjesë Papuli 1, Papuli 2 dhe Papuli 3 me tri shoqëritë e tij. Se në xhepin personal të kujt shkojnë 1,3 mld lekë të këtij tenderi, s’ka vend për pikëpyetje...”, shkruhen në komentin e Departamentit Antikorrupsion, duke përmendur se pjesëmarrësit në atë tender ishin “Classic”, “Hyundai Auto”, “Tirana Auto” dhe ‘Albania Car Rental”.
Është e paqartë se cilat kompani ia atribuon Agron Papulit Departamenti Antikorrupsion në PD, pasi, referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), biznesmeni Agron Papuli është pronar vetëm tek “Classic”.
Së fundmi, emri i biznesmenit Agron Papuli është përmendur edhe nga mediat, kryesisht ato me qasje afër qeverisë, të cilat e lidhin me një vilë që po përdor së fundmi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kompleksin “Long Hill”.
Ky kompleks rezidencial, në periferi të Tiranës, është ndërtuar dhe administrohet nga kompania “Classic S&J”, në pronësinë e Mirela Papulit, bashkëshorte e Agron Papulit.
Vila me qera në të cilën po jeton Basha ndoshta ka zbutur edhe denoncimet që PD hidhte përditë mbi biznesmenin Papuli. Duket se oligarkët e Ramës që Basha i akuzon çdo ditë, nuk qenkan vetëm të kryeministrit.