Një person i shumëkërkuar ka rënë në pranga. Policia bëri të ditur se është kapet në Itali dhe sot është ekstraduar drejt Shqipërisë, 28-vjeçari nga Elbasani, Etjen Cani.
Ai është autori i dyshuar i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan, në vitin 2012. Zyrtarisht mësohet se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Etjen Cani është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Gentian Beqiri
Ngjarja
Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.
Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit.
Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.
Nezir Beqiri