Nga Xhentiana Muskaj
Termi feministe sot përshkruhet, ato femrat që urrejnë burrat, që bërtasin për t’u dukur të forta dhe ato femrat e fustruara që duan të jenë si burrë. Në disa raste i quajnë edhe fëmra.
Por jo! Një feministe është një vajzë, një grua që frymëzon vajzat dhe gratë e tjera të duan veten dhe të kërkojnë të drejta. Simone de Beauvoir, një shkrimtare feministe në veprën e saj ‘’Seksi i Dytë’’ ka shkruar mos e trajtoni veten sikur jeni një copë mishi me forma.
Në vitet 60’ preferoheshin vajzat dhe gratë me të pasmet e sheshta sot forma të tilla janë të shëmtura, jo të bukura. Sot të jesh e bukur duhet të kesh të pasme bombastike dhe të publikosh foto në Instagram nga çdo kënd ku dallohen të pasmet.
Fati më i madh për një vajzë është të gjej një burrë me lekë, të shijoj pushimet me të. Kurse për ato vajza dhe gra që ngjisin shkallët e karrierës, pasi i kanë rrëzuar kush e di sa e sa herë, thuhet fjalia klishe ‘’ Hë mo se e dimë ne si ka qenë ajo…’’
Suksesi sot për një vajzë matet nga liket në Instagram. Feministet nuk e kërkojnë këtë. Ato duan që vajzat dhe gratë ta duan veten, të luftojnë për ëndërrat e tyre dhe mos të dorëzohen teksa u vendosin pengesa.
A është e gabuar kjo?! A është e gabuar të duash të ndjekësh ëndërrat e tua, a është e gabuar të kërkosh të drejta të barabarta?!
Në adoleshencë e kam dëgjuar pa fund ‘’Nderi i djalit lahet me një lugë ujë’’, teksa u nisa për të dhënë një intervistë në një fakultet në Berlin më thanë do humbasësh, nuk do dalë të presë askush në areoport, si do i gjesh e vetme. Dhe fjalia që më lëndoi më shumë ishte ‘’Ti je vajzë, duhet të kesh frikë.’’ Dëgjova edhe këshilla të çmendura si vish një fustan ditën e intervistës, të tregosh këmbët se i ke të bukura. Ndërsa unë mendoja vetëm për ëndërrën time dhe se do e ndjek atë me çdo kusht. Unë nuk dua të jem si burrë, as feministet e tjera nuk duan dhe as nuk sillen si burra dhe as nuk i urrejnë.
Para dy vitesh unë zhvillova një intervistë në burgun e grave në Tiranë. Intervistova nënën e tre fëmijëve, e cila i kishte marrë jetën të shoqit. Ajo ishte martuar 16 vjeç dhe i shoqi e kishte marrë sepse ishte shumë e bukur. Më tregoi se si pak nga pak ia vranë të gjitha ëndërrat, më pas nisi dhuna dhe ajo ishte prona e burrit nuk kishte më të drejta.
Shkollën e kishte braktisur sepse ishte rritur me mentalitetin burri është fati më i madh për një vajzë dhe se duhet ta shfrytëzonte bukurinë e saj.
Më tregoi edhe se ëndërra e saj më e madhe ishte të blinte një rimel vetë me lekët e saj. Teksa e intervistoja i kam mbajtur lotët me forcë. Nuk mundesha të qaja para saj. Disa kohë më vonë shkova sërish tek burgu dhe lashë dy vëllimet e ‘’Seksi i dytë’’ të Simone de Beauvoir. Se di në i ka lexuar, por i them faleminderit sepse atë ditë thashë ‘’Mos u bëj mish me forma’’. Nuk ma mësoi de Beauvoir këtë, jo ma mësoi ajo nëna e tre fëmijëve që qante që nuk ndoqi ëndërrat.
Ndaj më shumë se sa liket në Instagram dhe orët e shpërdoruara për foton perfekte ka shkollimi dhe librat dhe sa here të thonë ‘’Nuk e bën dot se je vajzë’’, të thuash po mundem unë mundem sepse jam vajzë, pikërisht për këtë mundem.