Pak ditë më parë, një qytetar denoncoi në redaksinë e JOQ Albania masakrën mjedisore që po bëhet në Kanionin e Holtës.
Me foto dhe video, tregohej se punimet për ndërtimin e HEC-it në këtë kanion, që prej vitesh është shpallur monument natyror, po vazhdonin, pavarësisht se qeveria premtoi disa muaj më parë se projekti do të anullohej.
Por qeveria nuk mjaftohet me kaq, pasi së fundmi është zbuluar edhe "shënjestra" e rradhës, që pritet të "masakrohet".
Bëhet fjalë për Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj, që shtrihet në rrethin e Matit. Ky park, i cili ka një sipërfaqe prej 140 hektarësh, dallohet për një biodiversitet me vlerë ndërkombëtare, dhe është shpallur i mbrojtur me ligj.
Mirëpo, një banor i zonës ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania faktin se qeveria do të nis së shpejti ndërtimin e një HEC-i në Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj.
Sipas denoncuesit, banorët e zonës do të organizojnë ditën e nesërme një protestë për mbrojtjen e parkut dhe kërkon ndihmën e qytetarëve të tjerë, për t'u bërë bashkë e për të mos lejuar të ndodhë këtë masakër të rradhës mjedisore nga ana e qeverisë.
Ndonëse në vendet e tjera të botës pasuritë dhe bukuritë natyrore mbrohen me fanatizëm, në vendin tonë jo vetëm që ndodh krejt e kundërta, por është vetë qeveria, e cila duhet të garantojë mbrojtjen e tyre, që i shpall "luftë" natyrës.
Parku Kombëtar Zall Gjoçaj, shquhet edhe për larmi habitatesh, llojesh bimore e shtazore dhe pjesë të pyjeve natyrore, livadhe, përrenj etj.
Kjo zonë paraqet pasuri të veçanta botanike dhe mban një ansambël të madh të specieve të rralla, ndërsa bukuritë e peizazhit ofrojnë potenciale të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit malor dhe turizmit të aventurës.