Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi që ishte parandaluar në mars të2018 në Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit në Tiranë nga organizata terroriste iraniane "MEK", e cila u zbulua sot nga policia.
I ftuar në studion e lajmeve në Report Tv, gazetari investigativ Artan Hoxha tregoi të dhëna mbi trafikantin ndërkombëtar të drogës, Abdulselam Turgut, i cili u shpall në kërkim nga Gjermania, pas akuzave për trafikimin e 1.6 tonëve heroinë. Turgut rezultoi i përfshirë në organizatën terroriste "MEK". Ai u kap në Tiranë në vitin 2011, ndërsa gjykata vendosi për të masën "arrest shtëpie", gjë e cila ia bëri më të lehtë arratisjen nga Shqipëria, para se të ekstradohej drejt Gjermanisë.
Hoxha u shpreh se kjo histori ka nisur që në vitin 1998, teksa në një operacion të policisë turke u godit një grup shqiptarësh që merreshin me biznes, mes të cilëve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua në qershor të 2019, si i përfshirë në laboratorin e Hasit, në kuadër të operacionit Volvo 4.
Gjithashtu Hoxha përmend edhe emrin e Xhemail Pasmaçiut, si person i përfshirë në grupin e biznesmenëve shqiptarë të lidhur me bosin turk që drejtonte grupet e heroinës në Shqipëri, Abdulselam Turgut.
Hoxha u shpreh:
Abdulselam Turgut ka qenë nën hetim për trafik droge për qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë. Historia nis që në vitin 1998. Gjatë një operacioni të policisë turke u godit një grup shqiptarësh që merreshin me biznes. U ra në gjurmët e tyre duke u ndjekur një futbollist me origjinë shqiptare, i ikur herët, që u kap me 30 kg heroinë. U arrit të kapet një episod nga policia turke me 190 kg heroinë që ishte porositur në Turqi dhe do vinte në Shqipëri në rrugë tokësore. Mes personave të kapur ishin Hekuran Hoxha i arrestuar qershor 2019 si i përfshirë në laboratorin e Hasit, në kuadër të operaconit Volvo 4, pjesë e të cilëve është edhe grupi i Avdylajve. Roni i Shijakut ka qenë i arrestuar në Shqipëri e Itali për trafik heroine. Është i përfshirë në fushata elektorale të forcave politike në Shijak. Krimi nuk ka ngjyrë politike, ka marrë pjesë në fushata të ndryshme. Personi tjetër i kapur quhej Behar Sofia. Ky emër del në ngjarjen e gushtit 2009 ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin. Aty ka qenë Behar ose Fatmir Sofia, disa herë bizneseve të tij i është vënë lëndë eksplozive, që i ka pasur afër stadiumit Dinamo në Tiranë, tashmë nuk i ka më. Në vitin 2009 Gjykata në Gjermani ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për Turgut, që akuzohej për trafik të 1 ton heroinë në drejtim të Gjermanisë. Kishte urdhër kërkimi nga autoritetet belge, austriake, italiane. Njëkohësisht ishte arrestuar më herët edhe në Turqi dhe Azerbajxhan dhe ishte në kërkim. Zhduket dhe humb cdo gjurmë, flitet që kishte lidhje të forta edhe në Kurdistan, dhe ka përdorur edhe territorin iranian për linjë të trafikut të drogës."
