Kur kryeministri Edi Rama pudrosi “fytyrën” para kancelares gjermane Angela Merkel dhe i kërkoi hapjen e negociatave, në Tiranë deputetët kishin ngritur duart përpjetë duke aprovuar dy konçesione të rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat.
Nja 366 milionë euro këto dy akse ku për një kilometër rrugë jepen plot 17 milionë euro. Aty në Berlin ia kujtuan çështjen e korrupsionit dhe mungesën e zgjedhjeve të lira, por ai dhe ata që e shoqëronin kanë humbur ndjesinë e turpit.
Afera të pastra korruptive u zbuluan edhe nga një raport i fundit i KLSH-së me këto dy akse.
E pa u tharë ende boja e gjetjeve kompromentuese një tjetër skandal është në lulëzim. Pikërisht aksi rrugor Kardhiq-Delvinë mbart të tjera miliona të firuara, të tjerë skandale me fitues të paracaktuar.
Dy miliardë euro konçensione në gjashtë vite qeverisje të Ramës për vendin më të varfër në Europë janë shumë, por për pushtetarët grabitja nuk i ngop.
Sot pushteti i Rilindjes ngjan me kohën e nazizmit. Kur ushtritë hitleriane po humbnin luftën e pushtetin e tyre dy veprime të fundit bënë: rrëmbyen arin e dogjën sa mundën qytete e pasuri të tjera teksa largoheshin.
Sot me qeverisjen tonë ka ngjashmëri të tejskajshme me këtë formë. Gjithnjë e më shumë edhe vetë po e kuptojnë se kanë humbur thellë besimin qytetar por si për “ditë të fundit” po rrëmbehet ç’të mundet nga taksat qytetare. Konçensione rrugësh, ndërtime kullash, luks qeveritar me zyra supermoderne, udhëtime qejfi nëpër botë me taksat publike, aq për një natë shtrati i ministres kushton 700 euro.
Po rrëmbejnë në afera të rënda korruptive gjithçka ç’të mundin. Është e tepërt tu kërkosh moral që ta ndalin pak makutërinë, sepse ata janë qenie të gjalla që marrin frymë politikisht vetëm në sajë të aferës.
Përderisa morali nuk ekziston, pyetja që shumëkush ngre është: po frikë se një ditë do përballen me drejtësinë a kanë?/Boldnews