Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë vendosur taksë për një produkt kosovar. Ky veprim i ndërmarrë nga autoritetet maqedonase, nuk i ka pëlqyer aspak palës kosovare.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala, ka bërë me dije se i ka dërguar letër personale ministrit të Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej dy muajsh.
Duke parë neglizhencën e shtetit fqinj, Shala ka bërë me dije se Kosova ka vendosur që të ndalojë importin e disa produkteve të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, ky veprim synon të ruajë recciprocitetin dhe trajtim të barabartë të tregtisë mes dy vendeve. Më tej ai shton se nëse një shtet tjetër bën të njëjtën gjë si Maqedonia e Veriut, do t'i përgjigjen njësoj.
Postimi i plotë
Që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut kam qenë në kontakt me autoritetet e këtij shteti dhe kemi dërguar ankesa nëpërmes sekretariatit të CEFTA-së, por edhe letër personale ministrit të tyre të ekonomisë. Dhe tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet. Reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve kosovare gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të ecim përpara. Në rast se ky tretman do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim i Kosovës që eksportohet jashtë nuk do të ketë tretman të pabarabartë. E.SH.