Është luajtur pasditen e sotme kryendeshja e javës së parë të Premier League mes Manchester United dhe Chelsea.
Sfida e luajtur në "Old Trafford", u mbyll me fitoren e thellë të vendasve me rezultatin 4-0.
Të besuarit e Solskjaer e kanë nisur në të mënyrën më të shkëlqyer këtë sezon, ndërkohë një gjë e tillë nuk mund të thuhet për londinezët e drejtuar nga legjenda e tyre, Frank Lampard.
Goli i parë u shënua nga Rashford në minutën e 18 me penallti.
Pjesa e parë e sfidës më të shumëpritur të javës u mbyll me rezultatin 1-0, ndonëse "blutë" e Chelseat krijuan shumë raste për të shënuar, por pa mundur dot të gjejnë rrjetën e portës së mbrojtur nga David De Gea.
Pjesa e dytë nisi vrullshëm për londinezët, por nuk i shfrytëzuan siç duhet hapësirat e krijuara për të shënuar.
Dy gola të shpejtë në harkun kohor të 2 minutave, nga Martial dhe Rashford sërish, trefishuan shifrat për "djajtë".
Ndërkohë goli i katërt që vulosi rezultatin përfundimtar u realizua nga Daniel James.
Kjo ndeshje ishte dhe një sfidë më vete për dy legjendat e futbollit, Solskjaer, i cili ka luajtur 10 vite për Manchester United, duke shënuar 91 gola në 235 paraqitje dhe Frank Lampard i cili ka luajtur 13 vite për Chelsea-n dhe ka realizuar 147 gola në 429 ndeshje të luajtura.