Desantila Sollaku është e reja, e cila humbi jetën ditën e djeshme, teksa kishte shkuar me familjen në kanionin e Holtës për të kaluar një të diel të këndshme përpara se të largohej për në Gjermani.
26-vjeçarja ishte kualifikuar si infermiere në një aplikim pune dhe pritej që brenda pak ditëve të nisej për në Gjermani.
E reja, i ati, e ëma dhe vëllai i saj i ishin drejtuar kanionit, pasi kishin konsumuar drekën.
Ata kanë qenë duke ecur, në momentin kur rreth orës 16:40 pati një shtim të papritur të prurjeve të ujit, çka ka bërë që disa prej personave që po vizitonin zonën të rrëzohen në atë që njihet si kanioni i tretë.
Mes tyre ka qenë dhe Desantila. Ajo është gjetur pas dy orë kërkimesh, duke qenë se uji e kishte transportuar trupin e saj pranë daljes së kanionëve.
Ndërkaq anëtarët e tjerë të familjes së Desantilës, babai 50 vjeç dhe i vëllai Denisi 20 vjeç janë nxjerrë me probleme të lehta shëndetësore dhe janë dërguar në spital ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën bashkë me nënën e viktimës.