Gjykata e Bolonjës ka bërë publike shkresën për ekstradimin e Ilir Bajrit në Itali. Ai u arrestua në Shkodër në shtator të vitit 2018 në kuadër të operacionit “Oaz”.
Bajri ishte dënuar në Bolonja më 10 dhjetor të vitit 2010 me 5 vite e gjysmë burg për shfrytëzim prostitucioni, emigracion klandestin, falsifikim dokumentesh.
Pjesë e grupit ishin gjithashtu edhe Enver dhe Bardh Bajri, Elvis Baroti, Gëzim Cerceku, Jetmir Topi dhe Fatmir Tafazi. Grupi ka vepruar në zonën Cervia dhe Ravena gjatë periudhave korrik 2000-gusht 2002.

Enver Bajri
Sipas gjykatës së Bolonjës, grupi ka shfrytëzuar 11 vajza për prostitucion, të cilave u kishte falsifikuar edhe pasaportat. Të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari dërgoheshin në Shqipëri, nëpërmjet Fatmir Tafazit, i cili luante rolin e korrierit të dërgimit të të ardhurave.
Në vitin 2001, pas arrestimit të Enver Bajrit, njëra nga vajzat e shfrytëzuara u kthye në Shqipëri. Pas lirimit ai kërcënoi nënën e saj dhe vajza u rikthye në Itali.
Një shtetas italian klient i prostitutave të grupit Bajri ka denoncuar ngjarjen në atë kohë.