Papunësia gjithmonë e më shumë në rritje, paga e ulët dhe mungesa e shpresës ka sjellë edhe largimin masiv të shumë të rinjve nga Shqipëria.
Qindra mijëra shqiptarë presin sot rezultatet e “llotarisë amerikane”. Aplikantët në këtë proces, shpresojnë të fitojnë një vizë, që do t’ju mundësojë të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo vit, por sidomos vitin e kaluar aplikimet e shqiptarëve për llotarinë amerikane kapën një rekord pasi 367 mijë shqiptarë aplikuan për të.
Më pak se 4500 shqiptarë u shpallën fitues të llotarisë për vitin 2018, me një rritje të konsiderueshme nga 2400 të zgjedhur në vitin 2017. Por numri i vogël i fituesve nuk i ndaloi shqiptarët të ëndërrojnë.
Në vitin 2015, shqiptarët patën mbushur 100 mijë aplikime për 200 mijë persona, ku te shifra e dytë përfshihen edhe familjarët e aplikantëve.
Në vitin 2016, numri i aplikantëve bashkë me familjarët e tyre u rrit më tej në 246 mijë ndërsa në vitin 2017 kishte 162 mijë aplikime për afro 316 mijë vetë. Viti 2018 duket se shënoi rekordin historik në këtë drejtim me 376 mijë aplikime.
Shqipëria rezulton një nga vendet me më shumë aspirantë për emigrim në SHBA nëse merren parasysh edhe përmasat e popullsisë.
Për shembull, Algjeria, e cila ka 40 milionë banorë, ka krahasimisht më pak aplikime se sa Shqipëria. Kongo-Kinshasa, një shtet i stërmadh me 78 milionë banorë, kishte gjatë vitit të kaluar 775 mijë aplikantë. Shkaqet pse shqiptarët presin me padurim plotësimin e formularit për llotarinë amerikane janë të shumta ,papunësia, korrupsioni, mungesa e shtetit të së drejtës janë faktorët kryesorë pse i kanë shtyrë shqiptarët të aplikojnë.
Edhe pse viti 2018 vendosi rekord duket se sipas të gjitha gjasave sot shqiptarët pritet të kalojnë shifrën e lartë të aplikimeve për të shpresuar te llotaria amerikane .
Llotaria amerikane është bërë gjithashtu gjithnjë e më popullore edhe në Kosovë. Gjatë vitit 2017 Kosova regjistroi 25 mijë aplikime për afro 52 mijë aspirantë, gjithashtu me rritje në ndjeshme me pak vite më parë.
Maqedonia pati shifra të ngjashme, 24 mijë aplikime për 47 mijë aspirantë ndërsa Serbia pati 30 mijë aplikime për 53 mijë shtetas. Edhe numri i aplikantëve nga Greqia është në rritje, megjithëse në shifra të ulëta.
Gjatë vitit të kaluar kishte rreth 7 mijë aplikime nga Greqia për 13 mijë persona..
I gjithë Ballkani ka njohur emigrim masiv përgjatë dekadave të fundit, por Shqipëria duket se mban rekord si për sa i përket numrit të atyre që ikën, ashtu edhe sa i përket numrit të atyre që ëndërrojnë ende të ikin.