Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Transportit Rrugor ka bërë publik sistemin e rezervimit të targave të serive të veçanta. Bëhet fjalë për targat e numrave të ngjashëm pavarësisht nga shkronjat që i shoqërojnë ato.
Në udhëzimin e DPShTRr thuhet se targimi i një makinë është ndarë në tre kategori ku veç targimit normal janë edhe dy kategori të tjera.
Në kategorinë e parë janë përfshirë targat e tre numrave të ngjashëm apo disa tipe targash që janë ndër më të kërkuarat. Në këtë kategori përfshihen targat e tipit “111, 222, 999 dhe 001, 007. Për të pajisur mjetin me këto targa veç tarifës standarde, drejtuesi i mjetit duhet të paguajë edhe 30 mijë lek të reja për të marrë këtë targë.

Kategoria e dytë është ajo e targave me dy numra të njëjtë. Këtu sipas Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor hyjnë targat e tipit: “002, 006, 009, 900, 600, 200, 101, 707, 606”. Tarifa është 20,000 lekë për të vendosur këto targa plus tarifën standarde të targimit.
Për të dyja këto kategori do të shtohen edhe vlera standarde e targimit që është 7700 lekë të reja. Udhëzimi u është shpërndarë drejtorive rajonale dhe tashmë gjithkush e ka në dorë targën që ëndërron. E gjithë kjo bëhet nga DPShTRr për të shmangur informalitetin në procesin e targimit.