Lavdrim Muhaxheri ka qenë njëri nga luftëtarët e Shtetit Islamik ISIS. Ai madje njihet për deklaratat e thirrjet që u bënte të rinjve që të bashkoheshin me ISIS dhe të luftonin atje.
E ndërsa në mediat kosovare ka bërë bujë lajmi se 9 fëmijë janë kthyer nga Siria në Kosovë pa prindër. Dyshimet e para kanë qenë se dy nga nëntë fëmijët janë të Lavdrim Muhaxherit.
Në mesin e 110 personave të kthyer nga Siria në Kosovë janë gjithësej 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë- 9 prej tyre pa prindër. Por a janë dy nga ata të Lavdrim Muhaxherit?
Sipas "Gazetës Express", Lavdrim Muhaxheri ishte i martuar me një grua nga Shqipëria dhe kjo është arsyeja se përse ata nuk janë në Kosovë si fëmijët e tjerë. Mbrëmë në Kosovë janë kthyer 110 shtetas kosovarë që kishin qenë pjesëmarrës në luftën në Siri. Bëhet fjalë për 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë (përfshirë 9 fëmijë pa prindër).
Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga forcat e policisë mbrëmjen e ditës së premte, deri në orët e para të mëngjesit të të shtunës.
Të kthyerit nga Siria në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në fshatin Vranidoll i cili gjendet në periferi të Prishtinës. Shteti ka garantuar se atyre do t’u bëhen kontrollet mjekësore si dhe do të punohet për integrimin e tyre në shoqëri.