Hetuesit po vijojnë punën për të mbledhur prova që do të çojnë në identifikimin e grabitësve të 10 milion eurove në Rinas.
Mësohet se në furgonin me mbishkrimin "Hetimi Tatimor", janë gjetur gjurmë gishtash.
Sipas prokurorëve ekzaminimi i gjurmëve do të çojë në identifikimin e autorëve.
Siç shkruan Tv Klan, prokuroria ka marrë në pyetje gruan e Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Edhe pse konsiderohej një person kyç për hetimet, Albana Alidhima nuk ka dhënë shumë detaje.
Ajo u ka thënë prokurorëve se kishte kohë që nuk takohej me Admirin dhe nuk e dinte se ku qëndronte, apo me kë shoqërohej, që pas arratisjes nga burgu i Trikalas në 2013-ën.
Ndërkohë hetuesit kanë dyshime të forta se Murataj ka qenë pjesëmarrës në tre grabitjet e mëparshme, ndër to edhe ajo e 16 qershorit ku u morën 1 milion euro në pistën e Rinasit.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Alkes Pepa, ndërsa personat e tjerë nuk janë identifikuar.