Ardian Fullani, pasi u shpall i pafajshëm mori edhe një dëmshpërblim për largimin nga detyra si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Por ish-guvernatori nuk i ka mbyllur ende llogaritë me drejtësinë. Mësohet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me anë të një shorti ka përzgjedhur një listë me emrat e 36 prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Për ta do të kryhen verifikime për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Mes tyre është i listuar edhe emri i ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, e cila është bashkëshortja e Ardian Fullanit.
Kujtojmë këtu se Ardian Fullani disa javë më parë u emëruar si pjesë e Bordit Këshillues të Bankës Qendrore të Malit të Zi edhe pse pesë vite më parë ai u bë pjesë e një skandali në Bankën e Shqipërisë nga e cila avulluan 713 mln lekë të reja ose e 6.6 mln dollarë. Çifti Fullani duke nisur nga viti 2014 ka deklaruar të ardhura mjaft të larta, pasi kur ai drejtonte Bankën e Shqipërisë paga e tij bashkë me dietat shkonte rreth 90 mijë dollarë në vit.
Duke qenë se Fullani do të kalojë në skanerin e Vetingut, pasuria e çiftit verifikohet për ligjshmërinë.
Gjithashtu do të verifikohet edhe pasuria edhe për katër ish-anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë. Ata janë Andi Çeliku, Guxim Zenelaj, Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muskaj.