Policia sekuestroi ditën e sotme nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh me vlerën e dy milion e dyqindmijë eurove.
Këto prona i përkisnin vëllezërve Armando dhe Alket Gorezi, përkatësisht 44 dhe 47 vjeç. Apartamentet dhe bizneset ndodhen në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
Sipas hetuesve, këto pasuri rridhnin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve. Vëllezërit Gorezi nuk janë emra të panjohur për policinë.
Armando Gorezi është arrestuar dhe ekstraduar në korrik të 2015-ës drejt Italisë. Ai u akuzua për vrasjen e Indrit Kuçit, në një shesh në Torino.

Armando Gorezi
Dyshohet se Kuçi u ekzekutua nga Gorezi në vitin 2011, me 6 plumba pistolete, për shkak të prishjeve të pazareve të drogës. Gjithashtu Gorezi është hetuar nga Prokuroria e Beratit për prostitucion.
Ndërkohë Shkalla e dytë e drejtësisë italiane i dha lirinë Gorezit. Ky i fundit ishte dënuar në 2011-ën me 12 vite burg në mungesë për vrasjen e Kuçit, por fitoi lirinë, pasi gjykata e Apelit në Itali nuk gjeti prova.