Një aksident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Athinë, ku për pasojë një i ri shqiptar ka humbur jetën.
Nga të dhënat e para mësohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën Agio Dhimitrio, teksa Marjan Pershpali, 21 vjeç, ishte duke udhëtuar me motor kur u përplas fuqishëm nga makina që ishte me shpejtësi të lartë.
Sipas burimeve ekskluzive për JOQ Albania, i riu ishte shpërngulur në Athinë që në moshën 3-vjeçare.
Pershpali sapo ishte kthyer nga Gjermania, ku kishte punuar për një kohë të shkurtër dhe më pas është kthyer në Greqi për shkak se e kishte të vështirë të qëndronte larg familjes dhe aty nisi punë si shpërndarës në një Fast-Food.
Ai kishte mbyllur ditën e punës dhe ishte nisur për në shtëpi. Aksidenti me motor ka ndodhur në zonën në të cilën shqiptari shihej më shumë.
Ai ishte djalë i vetëm dhe kishte vetëm një motër, e cila jetonte me prindërit e tij.