Mauro Ikardi vazhdon të ketë probleme me Interin për shkak se ai nuk pranon rinovimin me zikaltërit.
Sulmuesit i kanë hequr shiritin e kapitenit dhe momentalisht ai nuk është pjesë e skuadrës.
Ndërkaq, për të sqaruar më mirë situatën ka folur bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e tij, Uanda Nara.
E ftuar si zakonisht të dielave në emisionin Tiki Taka”modelja argjentinase, bëri prapakthehu dhe kërkoi që të sqarojë të gjitha ngjarjet e javës së fundit.
Me lot në sy, Uanda konfirmoi se ata duan të qëndrojnë tek Interi.
Ajo u shpreh:
Ne nuk kemi pasur kurrë as dyshimin më të vogël për të mos shkuar në stadium. Madje, unë edhe pse jam nënë e 5 fëmijëve nuk mungoj asnjëherë dhe do të jem gjithmonë prezente, sepse Interi është familja jonë dhe të gjithë e dinë sesa shumë e kemi përzemër këtë bluzë. Heqja e shiritit ishte njësoj sikur t’i kishin prerë një këmbë Ikardit. Ai është shumë krenar dhe nuk ka menduar kurrë për paratë.
Përkundrazi, dëshira e tij e vetme ka qenë që të nderojë bluzën dhe shiritin që mbante veshur. Nëse do të ishte për ne, jo vetëm për Mauron, por edhe për mua, do të qëndronim gjithmonë tek Interi. Kjo është ajo që të gjithë ne duam. Madje nëse doni ta dini, unë si menaxhere nuk ia kam kërkuar kurrë Interit rinovimin, kjo është e vërteta. Tani, duam thjesht që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë dhe Ikardi të kthehet të luajë, sepse në këtë periudhë ka vuajtur realisht shumë”.