Telecom Albania, një prej kompanive gjigante telekomunikative në vend, është shitur. Mësohet se është një kompani bullgare që e ka blerë. Kompania quhet Albania Telecom Invest AD dhe e ka blerë për 50 milionë euro.
Presidenti i OTE është shprehur se ky është një vendim strategjik. Aksioner kryesor i saj është Spas Roussev, aksioneri kryesor i Vivacom në Bullgari.
Roussev është gjithashtu i angazhuar në media dhe në një sërë organizatash jo fitimprurëse, kryesisht në artin skenik bashkëkohor.
Aktualisht "Vivacom" është kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari që ofron shërbimet më cilësore të kategorisë. "Vivacom" ka krijuar infrastrukturën më të madhe të rrjetit dhe renditet në vend të parë për sa i takon zërit fiks dhe bandës së gjerë.
Drejtuesi i OTE-së, Michael Tsamaz, është shprehur se “shitja e “Telekom Albania”, përmbyll investimin e suksesshëm në Shqipëri për Grupin OTE. Ky është një vendim strategjik, në kontekstin e prioriteteve të rishikuara të Grupit dhe planeve të rritjes, me qëllim që të krijojë vlerë për të gjithë aksionarët dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm.
Është mësuar se aksioneri tjetër është një shqiptar, ai quhet Elvin Guri.
Guri ka një karrierë të gjatë në fushën e biznesit pasi ka punuar si bankier, themelues kompanie, drejtor dhe si investitor për më shumë se 20 vjet.
CV-ja e tij përfshin eksperienca të shumta si Price Waterhouse EBRD, dhe BNP Paribas.
Ai ka qenë Drejtori Ekzekutiv dhe numri një i bordit menaxhues të Jet Finance, huadhënësi më i madh jo-bankar në Evropën Jug-Lindore, nga viti 2002 deri më 2008 dhe kompania iu shit BNP Paribas më 2007.
Në media kjo blerje e bujshme është paraqitur si një investim nga bullgarët, por nën zë përflitet se pas kësaj blerje qëndron një miliarder shqiptar.