Studentët e Kolumbisë, të cilët prej më shumë se dy muajsh u ngritën në mbrojtje të Arsimit të Lartë publik dhe arritën të bënin për vete të gjithë popullsinë, kanë arritur një marrëveshje me qeverinë, duke e detyruar atë të shtojë buxhetin për arsimin prej 4.5 miliardë pesos, ose mbi 1 miliardë dollarë.
Kjo lëvizje e qeverisë erdhi pas 13 marshimeve masive, 16 seancave dialoguese dhe disa studentëve të lënduar rëndë, por ky nuk duket të jetë fundit, pasi disa përfaqësi studentësh, theksuan se marshimet do të vazhdojnë vitin e ardhshëm.
Por protestat paqësore të mbajtura në të gjithë vendin u shoqëruan me dhunë nga ana e policisë.
Në Universitetin e Cauca, të qytetit Popayan, policia sulmoi studentët me gaz lotsjellës si dhe me granata tymuese. Përdorimi i forcës la pas dhjetëra të plagosur, 8 prej të cilëve në gjendje më të rëndë.
Shtypje e dhunshme nga policia u raportua gjithashtu në qytetet e Bucaramanga, Valledupar, Bogotá, Medellín, dhe Cali, ndërsa përfundimi ishte arritja e një marrëveshtje, që do të materializohet vitin e ardhshëm.