Në këto ditë të protestave studentët e kanë treguar, në shumë mënyra, që nuk kanë më frikë ta ngrenë zërin kundër padrejtësive që u janë bërë.
Ditën e djeshme ata kanë publikuar me emra dhe me foto personat, që sipas tyre, po marrin fondet e ekselencës.
Siç mund të kuptohej edhe nga fotot, të rinjtë e publikuar në fotot e studentëve janë mbështetës të Partisë Socialiste dhe qeverisë.
Ndër të rinjtë që, sipas studentëve, po vjedhin fondet e ekselencës përfshihen; Elona Leskaj, mbesa e Valentina Leskajt, Albion Baze, djali i Mero Bazes, Jonida Laçi, anëtare e FRESSH, Alba Patozi, vajza e Astrit Patozit, Teuta Turani, motra e Jonida Turanit, Sindi Lito, punonjëse në Ministrinë e Punës.
Kujtojmë këtu që kjo nuk është hera e parë që studentët publikojnë emra dhe foto. Më herët ata kanë ngjitur në muret e Politeknikut emrat dhe fotot e pedagogëve që, sipas tyre, duhet t’i nënshtrohen Vettingut.
Dhe, mesa duket denoncimet e tyre po i japin “frytet” pasi ditën e djeshme dha dorëheqjen pedagogu i Arkitekturës, Thanus Nushi, i cili ishte një ndër pedagogët e nxjerrë në pankarta. Nushi cilësohej nga studentët si ‘il padrino’ dhe akuzohej se kërkonte favore seksuale në këmbim të notës.