Muajin e fundit janë përshkallëzuar protestat në vendin tonë. Fillimisht banorët e zonës së "Astirit" të cilët kërkuan dëmshpërblim për të gjithë banesat që do t'u prishen dhe javën e fundit janë ngritur të gjithë studentët e Universiteteve në vend.
Por një tjetër protestë pritet të shpërthejë së shpejti.
Oficerët e Akademisë së Sigurisë po bëhen gati për protesta. Ndonëse ka një ligj që nuk lejon protestat në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, brenda kësaj akademie ka nisur një organizim për t'ju bashkuar studentëve në protestë.
Shqetësimi i tyre lidhet me përgjysmimin e pagave. Më herët, për këtë ata kanë hedhur në gjyq edhe drejtorin e Policisë Ardi Veliun.
Kujtojmë se më parë studentët e Akademisë së Sigurisë paguheshin që në nisje me 500 mijë lekë të vjetra ndërkohë që paga e tyre tanimë është 250 mijë lekë.