Lëvizja e “jelekëve të verdhë”, e cila nisi fillimisht në Francë, është përhapur edhe në Belgjikë e Holandë.
Policia në Belgjikë raportohet të ketë hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion drejt protestuesve me jelekë të verdhë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit, Charles Michel.
Protestuesit në Bruksel kanë hedhur pllakat e bulevardeve, shenjat rrugore, fishekzjarre dhe mjete të tjera drejt policisë, e cila po mundohet që të ndalojë hyrjen e tyre në një zonë ku ndodhen zyrat e Michel, ndërtesa të tjera qeveritare dhe parlamenti.
Zëdhënësja e policisë së Brukselit, Ilse Van de Keere tha se rreth 400 protestues u mblodhën në zonë, nga këta 100 u arrestuan.
Shumica e të arrestuarave thuhet se kishin me vete objekte të rrezikshme si fishekzjarre ose veshje që mund të përdoreshin si mbrojtje në përleshjet me policinë.
Arsyet për protestat nuk janë plotësisht të qarta pasi as Belgjika e as Holanda nuk kanë propozuar ndonjë rritje për taksën e karburantit, që ishte dhe katalizatori për demonstratat masive dhe shkatërruese në Francë javët e fundit. JOQ Albania