Edison Harizaj është 39-vjeçari i cili u ekzekutua me breshëri plumbash të shtëna nga dy armë të ndryshme dy net më parë në Durrës.
Ai ndërroi jetë në vend ndërsa shoqëruesi i tij Genti Caci 33 vjeç ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë pasi nuk mundi t’i bënte ballë plagëve të marra.
Harizaj i njohur ndryshe edhe me nofkat “Edison faqedjeguri” dhe “Edisoni i 7 pallateve” njihet si mik i ngushtë i Emiljano Shullazit.
“EDISON FAQEDJEGURI” NIPI I VIKTOR YMERIT
Edison Harizaj është gjithashtu nip i Viktor Ymerit, një prej personave me të kaluar të frikshme, pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.
Ymeraj mësohet se së bashku me Gaxhain apo Gazmend Brrakën i kanë bërë atentat Lul Berishës e për pasojë mbetën të vdekur dy doganierë të pafajshëm.
Të dy ishin porositur nga Marsel Sotiri për të hequr qafë kreun e “Bandës së Durrësit”.
Si ndodhi ngjarja?
Më 28 qershor 1999 për t’i bërë gropën Lul Berishës dërgohet në Durrës killeri famëkeq i Vlorës, Gaxhai, apo Gazmend Brraka.
Ishte koha kur në Durrës kishte një konflikt të madh mes tij dhe një tjetër personazhi të njohur të zonës, të quajtur Marsel Sotiri.
Atentatet në të dyja palët do t’i merrnin jetën shumë njerëzve, përfshirë edhe dy doganierëve të pafajshëm. Dhe pikërisht në mes të kësaj beteje, duket gjendet Gaxhai të qëronte hesapet me Lul Berishën.
Gaxhai e realizon goditjen e tij në afërsi të Spitalit të Vjetër më 28 qershor 1999.
Në fokus të breshërive të armëve automatike dhe të një predhe antitank vihet një furgon jeshil i markës “Citroen” me targa të huaja, me të cilin Gaxhai kishte informacion se lëvizte pikërisht Lul Berisha.
Por ai nuk ndodhej në furgon dhe viktima të sulmit mbetën dy të tjerë, Arben Paja dhe Xhevahir Xhunga.
I ndjekur nga policia Gaxhai kapet bashkë me shokun e vet Viktor Ymeri dhe mbetet në burg sot e kësaj dite.
SI NDODHI ATENTATI?
Viktimat ishin duke udhëtuar me një automjet tip “Audi A8L” me targa AA 867 TX në “Unazën e Plazhit” në Durrës, aks që lidh jugun e vendit me kryeqytetin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen Nr. 13, e njohur si “Zona e Plazhit” në afërsi të mbikalimit të Plepave në Durrës, ndërsa dyshohet se viktimat po ndiqeshin nga autorët përgjatë autostradës.
Pasi kanë derdhur një duzine plumbash mbi makinën e tyre, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe pak kilometra më tej i vunë flakën makinës që përdorën në atentat.
EKZEKUTIMI
Mbi 50 plumba nga dy armë të ndryshme janë shkrepur në drejtim të tyre, ku 30 plumba kanë prekur makinën dhe të shënjestruarit. Dyshohet se dy të rinjtë e kishin pikasur që po ndiqeshin, ndaj për t’u shpëtuar atentatorëve, drejtuesi i mjetit ka lënë autostradën në një dalje pranë Lagjes 13 në qytetin e Durrësit.
Por autorët, që dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë, e kanë kuptuar lëvizjen dhe i kanë sulmuar me breshëri armësh zjarri për më shumë se 30 metra në lëvizje.
Autorët i kanë derdhur plumbat në pjesën e dyerve të para të makinës, duke lënë të vdekur në vend 39-vjeçarin Harizaj dhe plagosur shumë rëndë Cacin, që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit.
Sipas Policisë, Harizaj ka marrë disa plumba në trup dhe në kokë dhe për pasojë ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje, raportojnë burime për Panorama.
Miku 33-vjeçar i tij mbeti i plagosur rëndë, me disa plumba në trup e gjymtyrët e poshtme.
Ai u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, por disa orë më pas ndërroi jetë. Autorët, ndërkohë, që sipas skemës së përdorur për atentatin kanë qenë disa persona, janë larguar me shpejtësi drejt Shën Vlashit, ku i kanë vënë flakën makinës që u përdor për vrasjen, e cila rezulton se ishte e vjedhur. Më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.