I rëndë ishte aksidenti i ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 15:00 në aksin Milot-Rrëshen, në vendin e quajtur Fang, ku si pasojë dy persona humbën jetën e tre të tjerë u plagosën.
Viktimat janë identifikuar si Jak Syla, 63-vjeç, drejtues i mjetit Volkswagen me targë AA 943 NP, banues në Fushë Arrëz dhe 52-vjeçari Myftar Kovaçi, drejtues i mjetit tip Benz me targë AA 182TY.
Të plagosurat janë tre femra që udhëtonin në mjetin tip Benz.
Zyrtarisht u njoftua se për shkak të gjendjes kritke për jetën, N. K., dhe F. K., u transportuan në Spitalin e Traumës në Tiranë me helikopter, ndërsa shtetasja L. D., u dërgua drejt kryeqytetit me ambulancë.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një devijim i gabuar i njërit prej mjeteve dhe shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonin dy makinat.
Pamjet e mbërritura ditën e sotme pranë redaksisë së JOQ.al janë tepër të rënda dhe tregojnë momentet e para pas aksidentit, ku një person ndodhet i shtrirë në tokë, i mbuluar në gjak.
Një tjetër zotëri në mesomoshë, i cili është edhe drejtuesi i automjetit tip Volkswagen ndodhet i bllokuar në makinë, me airbag-un e hapur, por pa shenja jete dhe askush nuk merr guximin ta nxjerrë nga automjeti.
Ndërkohë, në tokë vihen re dy zonja, të cilat gjithashtu kanë humbur ndjenjat, ndërsa në barelë është hipur një e tretë, e cila po futet brenda autoambulancës.
Udhëtarë të shumtë të cilët kanë hapur krahun në anë të rrugës për t'i dhënë ndihmë me sa munden të plagosurve, shikohen gjithandej.
Ata janë të hutuar nga kjo tragjedi që po shikojnë me sytë e tyre.
Pamjet e mëposhtme flasin vetë...