Gjithmonë e më tepër janë shtuar rastet e videove të publikuara nga redaksia jonë ku dallohet se si policia bashkiake e kryeqytetit sekuestron qepët, domatet, kastravecat apo preshin e qytetarëve të varfër që dalin buzë rruge në shi e në diell për të ushqyer barkun e pambushur të fëmijëve të tyre.
Por sikur të mos mjaftonte varfëria që i ka katandisur në këtë gjendje të mjerueshme ekonomike, shumë prej tyre përballen edhe me përbuzjen dhe trajtimin jo të mirë nga ana e përfaqësuesëve të pushtetit vendor.
Nëse deri më sot nëpër video kemi dokumentuar vetëm trajtimin dhe sjelljen jo etike përsa i përket sekuestrimit të mallit ndaj këtyre qytetarëve, sot ka ndodhur një skandal i vërtetë.
Disa policë bashkiakë kanë dhunuar ditën e sotme pranë Pazarit të Ri në Tiranë një qytetar të komunitetit rom i cili po mblidhte kanaçe. Dëshmitarët shprehen se policët ushtruan dhunë ndaj tij. Në video madje shihet dhe dëgjohet se si shumë njerëz mblidhen pranë ngjarjes duke kundërshtuar veprimin dhe dhunën e policëve.
Në vijim denoncimi i dëshmitarëve pranë redaksisë sonë shoqëruar me videon dhe fotot e ngjarjes.