Ermal Hoxha, një prej personazheve kryesorë në grupin që merrej me prodhimin dhe përpunimin e kokainës në laboratorin e Xibrakës, ka fituar lirinë me kusht.
Nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha ishte dënuar me 10 vite burg dhe pasi apeloi çështjen, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i uli dënimin me 1/3 e vendimit fillestar.
Laboratori i drogës është zbuluar më 14 janar 2015, ku dosja “Xibraka” u kthye në më të përfolurën jo vetëm në Shqipëqri, por mori edhe përmasa ndërkombëtare.
Grupi i “Xibrakës” kishte role të ndara në mënyrë të strukturuar, ku Hoxha luante rolin siguruesit të mjeteve financiare. Ai dyshohej se mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.
Hoxhës i ka mbetur edhe një vit e 6 muaj burg pa shlyer, ndërkohë akuzat që rëndonin mbi të ishin ajo e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe pjesë e “grupit të strukturuar kriminal”.
Kokaina nuk vinte e pastër në Shqipëri, por në forma të ndryshme, kryesisht e shkrirë në një solucion për lëkurat.
Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni është personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.
Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani.