Aktori i njohur Ndriçim Xhepa është përgjigjur një ditë pas lajmeve që nisën të qarkullonin në rrjetet sociale, se ikona e njohur e skenës dhe ekranit shqiptar kishte nisur punë si administrator pallati.
Aktori është shprehur:
Kam pesëmbëdhjetë vjet që e jap këtë kontribut të vogël qytetar për komunitetin ku banoj.”
Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Erindi Bejko dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj postuan disa fotografi duke përgëzuar aktorin jo vetëm si ikonë, por edhe si qytetar model.
Në një telefonatë për Gazeta Si, aktori ka thënë:
U bëra administrator nga halli. Askush nuk donte të merrte përsipër ca bezdi më shumë në ngarkim. Por unë banoj në kat të nëntë, imë ëmë në kat të shtatë.”
Ishin pikërisht defektet e ashensorit që e detyruan në një farë mënyre ta merrte përsipër detyrën e administrimit të hapësirave të përbashkëta, pasi ngjitja deri në kate të larta bëhej e mundimshme jo vetëm për të, por edhe për nënën e tij, aktoren e njohur Margarita Xhepa, që banon në po të njëjtën godinë me të birin.
Xhepa saktëson se ai nuk është emëruar nga Bashkia si administrator, por nga asambleja e pallatit të tij, ku banojnë 21 familje.
Ai vijon, duke e theksuar edhe njëherë keqdashjen pas këtij lajmi:
Ata erdhën pikërisht për të emëruar një administrator të Bashkisë dhe, e di pse e bëjnë këtë? Sepse këto i quajnë vende pune. Dhe, që të paguhet me rrogë një administrator i Bashkisë, do duhej që banorëve t’u rritej tarifa. Banorët e pallatit nuk pranuan duke i thënë se e kishin tashmë një administrator dhe se gjithçka kishte funksionuar më së miri deri tani. E bënë se u interesonte jo ka ndonjë efekt fakti që unë jam aktor. Nuk donin të paguanin tarifën që propozoi Bashkia prej 1500 lekësh, ndërsa paguajnë vetëm 700 lekë dhe nuk ka pasur asnjë problem me ashensorin prej 15 vitesh, as me pagesën e personit që kujdeset për pastrimin. Por mbase ngaqë unë nuk pranova të firmosja për Bashkinë, ata postuan fotografitë. Nuk e di!”
Më tej, aktori ka thënë:
E them sërish se nuk dua të mburrem e t’i jap vetes merita, kam bërë atë punë që kam bërë për 38 vjet, por nuk jam si disa kolegë të mi që thonë me budallallëkun më të madh se “artistët janë njerëzit më të nderuar të këtij vendi!” Po, pse more, kush të tha ty se mjekët nuk janë po aq të nderuar, apo minatorët që vdesin në miniera…pse qenkësh profesioni ynë më i nderuar?”
