Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u është përgjigjur ditën e sotme akuzave të Lulzim Bashës, në lidhje me përfshirjen në transportin e automjeteve Toyota që u kapën me një sasi prej 3.4 milionë euro.
Ai tha se fillimisht qeshi me deklaratat e Bashës, e madje, e cilësoi fjalën e tij edhe si prishje e dekonsipirim të një hetimi policor.

Balla deklaroi:
Deklarata e policisë së Shtetit ishte shteruese me persona të arrestuar, ende në kërkim, që përbëjnë grupin kriminal. Pas hekurave të vihen të gjithë ata që trafikojnë apo transportojnë sende të ndaluar ame ligj, qofshin para, drogë etj.
Një institucion ligjzbatues ka pasur rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm që quhet Lulzim Xhelal Basha, i cili vuri në rrezik hetimi policor. Por për fat të mirë nuk e marrin seriozisht as personat e përfshirë në këtë akt kriminal dhe operacioni u çua deri në fund".
Ai shton se nuk ka asnjë lloj lidhje me ata persona dhe shtoi se del garant me përgjegjësi penale, jo vetëm me mandatin e deputetit, nëse do të gjendet qoftë edhe një lidhje e vogël e tija me këtë rast.

Por Balla s'u ndal me kaq. Ai kërcënoi hapur Bashën, teksa e quante "shejtan-budalla" dhe tha se kishte gjetur disa lidhje të Bashës me këtë grup kriminal.
Socialisti shtoi:
Kam filluar të bëj disa verifikime dhe i them Bashës që në fund të kësaj historie, ai i ka disa lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje. I kam gjetur disa lidhje të Bashës me këtë grup kriminal.
Unë do të flas të enjten në senacën plenare, disa surpriza të Bashës.
E kam marrë me shaka këtë çështje. Qesha me këtë budalla politikan që s'e merr njeri seriozisht. Pas konsultimit me kolegë juristë, mendova që këtë shejtan-budalla, të mos e lë me kaq, por t'ia kthej në mësim ekzemplar".
