Edi Lika është pronari i kompanisë së transportit të automjeteve, i cili ra në pranga ditën e sotme.
Djali i tij 21-vjeçari Klevi Lika është pronari i trailerit tip “Bizark” me targa AA 120 SP – AFR 559 të ngarkuar me 9 automjete, në të cilin u sekuestruan 3.4 milionë euro, 80 mijë franga zvicerane dhe 100 euro të falsifikuara në dy makinat tip “Toyota Yaris”.
Nga operacioni që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit, kanë rënë në pranga 4 persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
41-vjeçari Lika nuk është emër i panjohur për policinë.
NGJARJA E VITIT 2011
Ai u përfshi në një aksident me makinë në vitin 2011 dhe udhëtonte së bashku me djalin e Gramoz Ruçit, Ledio Ruçin.
Në aksident humbi jetën 28-vjeçarja Brunilda Pinderi dhe u plagosën 3 persona të tjerë.
Ngjarja
Më datë 20.11.2011, Ledio Ruçi, drejtues i mjetit tip “BMW X6” me targa greke IKY3939, pasi ka lënë lokal “BRIKER”, që ndodhet pranë ish-kinema “17 Nëntorit”, ku ka qenë duke darkuar së bashku me shokun e tij Ermal Brixhi dhe shtetasen Anja Haxhia, është nisur drejt qendrës për të përfunduar më pas në rrugën “Xhorxh Bush”, me qëllim kalimin në Rrugën e Elbasanit.
Të ndodhur pranë kryqëzimit të rrugës “Zhan D Ark” para grupit të parë të semaforëve pranë urës, e duke qenë se nuk ka pasur lëvizje, mjeti ka kaluar semaforin me ngjyrë të kuqe duke hyrë në urën e Lanës me qëllim vazhdimin e Rrugës së Elbasanit.
Ndërkohë që ka qenë akoma në lëvizje në urë është hapur (me ngjyrë jeshile) semafori i dytë dhe mjeti me shpejtësi ka vazhduar lëvizjen edhe pak metra, derisa është përplasur me një mjet tjetër tip “Mini Cooper”, me targa italiane CG 832 CS, i cili drejtohej nga i pandehuri Edi Lika.
Si rezultat i përplasjes me pjesën ballore të Mini Cooper-it me pjesën e përparme të djathtë të BMW-së, ky i fundit është rrotulluar me 90 gradë, pra ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes pingul dhe për inerci është përplasur me trotuarin. Pasi e ka kaluar atë, ka ndaluar te një kolonë betoni pranë një njësie tregtare. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar thuajse të gjithë personat, të cilët kanë qenë në dy mjetet, por me pasoja të pariparueshme për jetën udhëtarja e vendit të parë të mjetit “Mini Cooper”, Brunilda Pinderi, si dhe dëmtuar lehtë shtetasja Pinellopi Rafti. Sipas ekspertizës, drejtuesi i autoveturës tip “BMW X6” lëvizte në drejtimin nga Parlamenti drejt urës së madhe te Rruga e Elbasanit, drejt Liceut Artistik me një shpejtësi lëvizjeje 50 km/h dhe drejtuesi i Mini Cooper-it dilte nga ETC-ja drejt Bërrylit me një shpejtësi lëvizjeje 70 km/h.
Aksidenti ka ndodhur në një kryqëzim ku fushëpamja është e kufizuar për shkak të parmakut të ngritur të urës. Meqenëse ky kryqëzim është me semafor dhe faktit tjetër që shpejtësitë e lëvizjes kanë qenë pothuajse të përafërta, aksidenti ka ndodhur në sekondën psikike dhe ata nuk kanë pasur mundësi të shmangnin aksidentin.
Duke u bazuar te fakti se aksidenti ka ndodhur natën, atëherë drejtuesi i autoveturës tip “Mini Cooper”, i cili lëvizte në bulevardin “B. Curri”, duhet t’i jepte përparësinë mjetit që vinte nga e majta, pasi ai kishte semaforin e kuq dhe i ishte ndaluar lëvizje.
AKUZA PËR DHUNË NË FAMILJE
Lika është dënuar edhe më parë me dy vite arrest shtëpie për akuzën e dhunës në familje.
Ngjarja
Ai ka ushtruar dhunë ndaj të birit Klevi Cani Lika gjatë një dreke familjare duke e qëlluar me shishe në kokë, pasi konstatoi se një porosi që ai kishte kërkuar, nuk ishte e njëjte me atë që kishte mbërritur.
41-vjeçari ka ushtruar dhunë edhe më parë ndaj bashkëshortes së tij.