Ditën e djeshme janë bërë plot 10 vite që kur u nda nga jeta në mënyrë tragjike themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha.
Tashmë trashëgimtarë të punës së Hoxhës është gruaja, 3 vajzat dhe i vogli Itan. Nga këta, Lori Hoxha është më e famshmja duke qenë se gëzon popullaritet të madh edhe në rrjetet sociale dhe ndiqet nga mijëra të rinj.
E ftuar në “Top Show”, Lori ka rrëfyer pak nga jeta e familjes së saj pas ndarjes nga jeta të të atit, teksa u shpreh se ndihet e privilegjuar që është vajza e Dritan Hoxha.
Lori Hoxha u shpreh:
Për mua është privilegji më i madh në jetë të jem fëmija i tij. Por sigurisht që ka edhe një lloj presioni. Je gjatë gjithë kohës në luftë që të bësh atë që do të donte të bënte ai, por pa e humbur veten tënde.”
Për të gjithë ata që mendojnë se vizioni që kishte Tani i Topit për median është zbehur, Lori tha:
Tani është sinonim i Topit. Nuk ka për të ikur kurrë shprehja: “Tani i Topit”. Dhe unë nuk dua ta heq këtë. Unë dua të bëhen gjëra aq të mira sa dhe njerëzit të thonë edhe Tanit do t’i kishte pëlqyer kjo. Unë nuk do të doja që ne të iknim nga vizioni i Tanit, por sigurisht që ai vizion duhet të evoluojë dhe po evoluon.”
Ndërsa për 10 vite mungesë të të atit, trashëgimtarja Lori tha:
10 vite pa babin është një mungesë shumë e madhe. Unë nuk e dija kush ishte Tani, gjeniu për të cilin flisnin njerëzit. Unë kam qenë vetëm 14 vjeç kur ai iku. Unë e dija që punonte, pasi bënim një jetë të mirë, por nuk e dija që ishte njeri kaq i madh. Pasi ai iku, atëherë e kuptuam.”
Për karakterin e të ndjerit Hoxha, Lori ka zbuluar një pjesë që pak e njihnin, ajo tregoi:
Pak njerëz e dinë, por ishte shumë fanatik. ‘Tmerri’ i tij ishte që unë po rritesha.”