Zemër plagosur është Dhurata Imeraj, nëna e Albano Imeraj, 26-vjeçarit i cili mesditën e sotme u gjet i vdekur në sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës.
Rreth një muaj më parë, në nisje të prillit, djali i madh i Dhuratës, Ksandros Imeraj, u shpall i humbur, pasi nuk u kthye më në shtëpi, teksa kishte dalë për të lundruar me një motor uji.
Në fillim të prillit familjarët e Ksandros thanë se djali kishte telefonuar autoritetet në Mal të Zi për t’i kërkuar ndihmë.
Në Mal të Zi u gjet edhe motori i ujit me të cilin udhëtonte i riu.
Ai ka folur për herë të fundit në telefon me familjarët, të cilëve u ka thënë se ndodhej në det të hapur, nuk e dinte saktësisht se ku e kishin çuar dallgët, duke qenë se kishte shumë det dhe se rreth e rrotull kishte vetëm errësirë.
Ksandros Imeraj është fëmija i madh i familjes Imeraj. Dhurata i ka rritur e vetme tre djemtë, Ksandron, Lejdin dhe Albanon, i cili humbi jetën ditën e sotme në rrethana ende të paqarta.
Bashkëshorti i Dhuratës ka ndërruar jetë vite më parë dhe sot ajo mori një tjetër plumb në zemër, pas humbjes së Sandros.
Albano, i cili njihej si një djalë i urtë, punëtor e i mbarë në qytet, prej disa vitesh kishte lidhur kurorë dhe kishte sjellë në jetë një fëmijë të moshës 2-vjeçare.
Vdekja e tij ka ndodhur në rrethana tepër misterioze dhe ende nuk dihet nëse ka lidhje me zhdukjen e vëllait, një muaj më parë.