
Mafia shqiptare ose krimi i organizuar shqiptar janë termat e përdorur për organizatat kriminale me bazë në Shqipëri apo të përbëra nga grupe shqiptare. Krimi i organizuar shqiptar është shumë aktiv në Shqipëri, SHBA dhe vendet e BE-së duke marrë pjesë në trafikime droge, armësh, njerëzish dhe organesh njerëzore. Skenari penal shqiptar është i karakterizuar nga krime të shumta, që në kompleksitetin e tyre, përbëjnë kapacitetet më të larta kriminale në botë. Vetëm në Shqipëri, ka mbi 15 familje mafioze që kontrollojnë krimin e organizuar. Sipas raporteve të Wikileaks, mafia shqiptare ka monopolizuar përkatësitë e ndryshme ndërkombëtare që nga lindja në Izrael, deri në perëndim në Amerikë te Jugut.
Këto raporte kryesisht tregojnë një lidhje të fortë mes politikanëve dhe familjeve të ndryshme të mafias shqiptare. Sipas Institutit të Kërkimeve për Studime Evropiane dhe Amerikane (RIEAS), grupet e mafias shqiptare në të vërtetë janë organizata hibride (sektorë te ndryshëm të shoqërisë), të përfshirë shpesh në të dy aktivitetet, kriminale dhe politike. Mafia shqiptare, në tërësinë e saj, përbën një prej elementeve më të lartë gjeneruese të krimit në botë, duke kombinuar karakteristikat “tradicionale” te cilat rritin padepërtueshmërinë , besueshmërinë dhe forcën – me elemente moderne dhe inovative.
Krimi shqiptar ka bërë rrugë edhe jashtë vendit amë me kriminalitetin botëror, duke shfrytëzuar mundësitë dhe integrimin e tij në të gjithë rrjetin.
“Tirana Observer” në një raport ekskluziv boton sot historitë e mafiozëve më të mëdhenj shqiptarë që kanë operuar në botë. Historitë e tyre dhe profilet.
Joey Lika, John Gotti shqiptar
Xhevdet (Joey) Lika është i quajtur “Mbreti i botës së krimit e drogës në Nju Jork”. Xhevdet Lika (Njihej ndryshe edhe me emrin Ismail Lika) ishte një amerikano-shqiptar i cili ishte i njohur dhe një figurë kryesore në botën e krimit në Nju York.
Në librin “Contract Killer” nga Hoffman dhe Headley, shkruhej se “edhe pse jo në lartësinë e “Al Capone” ose “John Gotti,” Xhevdet “Joey” Lika ishte i njohur në botën e krimit ndërkombëtar. Ai nuk i donte italianët dhe ata e kishin frikë për shkak se ai ishte shumë i dhunshëm. Mafiozët e tij ishin të gatshëm të bënin atentat ndaj John Gotti, Paul Castellano, apo edhe Presidentit Reagan, në qoftë se Lika ua kërkonte. Nuk kishte asnjë mënyrë për të ndaluar njerëz të tillë si Xhevdet Lika, dhe mafiozët e dinin këtë.”
Organizata e Likës shpërndante heroinë në lagjet artistike të Manhatanit duke përdorur dyqanet kineze. Droga merrej nga ish-Jugosllavia dhe Turqia ku Lika kishte bashkëpunëtorë.
Joey Lika punoi i vetëm deri në vitin 1980, më pas iu bashkua Xhevdet Mustafës. Xhevdet Mustafa u vra në Shqipëri pasi donte të rrëzonte Enver Hoxhën.
Nga ana tjetër, Lika, vazhdonte trafikun e heroinës në SHBA duke qenë mjaft i sukseshëm. Por në vitin 1981 bëri një gabim.
Joey Lika së bashku me dy anëtarë të bandës, M.Bici dhe V. Vulaj qëlluan për vdekje një tjetër shqiptar. M. Saljanin. Por një kishari i këtij të fundit i mbijetoi përplasjes së armatosur dhe u bë dyshimtar i mbrojtur i drejtësisë amerikane. Këtu merr fund edhe saga Likës. Sipas policisë amerikane ai transportonte drogë me vlerë 125 milionë dollarë nga Ballkani dhe e shiste në Nju Jork, Kaliforni, Teksas dhe Ilinois. Gjyqi i tij u drejtua nga prokurori Xhuliani. Ky i fundit deklaroi se ishte hera e parë në jetën e tij që ishte kërcënuar. Sipas mediave amerikane, Xhuliani u kërcënua për vdekje nga babai i Likës. Gjyqi ndaj tij u mbush plot me familjarë shqiptarë. Joey Lika u dënua me dënim të përjetshëm. Ai nuk apeloi ndaj dënimit, pasi ngaqë kishte vrarë një shqiptar, ai tani ishte në gjak me familjen e viktimës, në këtrë mënyrë e dinte që vendi më i sigurtë për të ishte burgu.
Bosi shqiptar në SHBA, Aleks Rudaj
Alex Rudaj ne vitin 2003. Foto nga FBI
Organizata kriminale e drejtuar nga gangsteri shqiptar Aleks Rudaj e quajti veten Familja e Gjashtë. Ata e shikonin veten si në të njëjtin nivel me pesë familjet e La Cosa Nostra-s së Nju Jorkut. Por pas një periudhë 10-vjeçare ata nuk dolën të ishin më shumë se sa një bandë rrugësh.
Në një profil që i bënin mediat amerikan mafiozit shqiptar, shkruhej: “Aleks Rudaj nisi si një bashkëpunëtor i familjes kriminale Gambino. Ai nuk është i vetmi shqiptar që e bëri këtë. Shqiptarët vijnë nga një e shkuar e ngjashme si italo-amerikanët apo italianët, dhe nuk kanë asnjë problem te përshtaten me grupet e huaja mafioze. Mafia kryesisht i përdorte shqiptarët si zbatues të urdhrave për të vrarë njerëzit. Ndërsa shqiptarët ishin duke u marrë me krime duke ndyrë duart e tyre, mafiozët italianë ishin shumë larg nga çdo gjakderdhje inkriminuese, pa dyshim duke numëruar paratë që fitonin duke vrarë një rival.
Nga fillim të viteve 1990, Rudaj e kuptoi se ai mund të përdorte njerëzit e tij shqiptarë për të formuar skuadrën e tij. Dalëngadalë ai dhe një grup shqiptarësh, por dhe italianësh, disa prej tyre ish-bashkëpunëtorë te Cosa Nostra-s, filluan të marrin përsipër kumarin e paligjshëm në Morris Park dhe në Ëestchester County.
Pas këtij suksesi, ata vendosën të shkojnë për një çmim më të madh: Territorin që pretendohej nga mafia italiane. Në verën e vitit 2001 ata vendosën të krijonin një grup të madh. Në qershor Rudaj dhe mbi dhjetëra njerëz të tij hynë në një sallon kumari të drejtuar nga anëtarët e krimit të familjes Lucchese në Astoria, Queens. Grupi i armatosur e bëri të qartë se ata ishin tashmë në krye të kumarit të paligjshëm në Astoria.
Edhe pse ata po merrnin territorin, grupi i Rudaj ende kishte respekt të madh për modelet e krimit të organizuar. Kur bosi i familjes Gambino John Gotti vdiq nga kanceri në qershor të vitit 2002, Aleks Rudaj dhe disa anëtarë të ekipit të tij i shkuan në varr për ta respektuar Por sigurisht lufta e tyre me Cosa Nostra-n nuk ishin personale … vetëm biznes.
Liderit të familjes Gambino, Arnold Squitieri, i kishte ardhur në majë të hundës kjo histori dhe kërkoi të bënte një bisedë me këta mafiozë. Biseda u zhvillua në një stacion gazi në një zonë pushimi pranë Neë Jersey-t. Squitieri nuk kishte ardhur vetëm. Njëzet mafiozë të armatosur të familjes Gambino shoqëronin shefin e tyre. Aleks Rudaj nga ana tjetër kishte arritur vetëm me gjashtë anëtarë të grupit të tij. Sipas agjentit të fshehtë të FBI-së Joaquin Garcia, i cili ishte i infiltruar ne familjen kriminale Gambino gjatë kësaj periudhe, Squitieri i tha Rudajt se lojës së tij i kishte ardhur fundi dhe se ata duhet të ndalonin zgjerimin e operacioneve të tyre. Shqiptarët dhe Gambinot pastaj nxorrën armët e tyre. Duke e ditur se ata ishin të paktë në numër shqiptarët kërcënuan se do të hidhnin në erë stacionin e gazit me të gjithë ata që ndodheshin në të. Kjo i dha fund diskutimit, dhe të dy grupet u tërhoqën prapa.
Nga viti 2006 të gjithë personat të përfshirë në këtë bisedë ishin në burg. Rudaj dhe Familja e tij e gjashtë ishte nxjerrë nga rruga në tetor të vitit 2004 dhe ishte ngarkuar me një shumëllojshmëri akuzash. Pas një gjyqi Rudaj dhe ndjekësit e tij kryesore u shpallën të gjithë fajtorë. Në vitin 2006 Rudaj, në atë kohë 38 vjeç, u dënua me 27 vjet burg. Rivali i tij Arnold u dënua për një rast shantazhi dhe u dërgua në burg për shtatë vjet. Ndryshimi mes Rudajt dhe familjeve tradicionale të Cosa Nostra-s? Arnols Squitieri pas burgosjes e kishte caktuar pasardhësin e familjes, Rudaj jo, në këtë mënyrë familja Gambino operon ende, e Rudajt jo”.
John Alite
John Eduard Alite alias “Johnny Alletto” ka lindur në shtator të vitit 1962. Alite është një mafioz amerikan nga Nju York-u, me origjinë shqiptare. Bashkëpunëtor i ngushtë dhe i konsideruar “krahu i djathtë” i familjes mafioze Gambino dhe padrinos së saj.