Gjuha shqipe ka shumë fjalë krahinore, të cilat as nuk i dimë të gjitha, e as nuk u kuptojmë edhe kur përdoren në një kontekst të caktuar.
Nuk mund të themi se ka fjalë të mira apo të këqija. Fjalët janë thjesht të lira e lum ai që ka mundësinë të dijë sa më shumë të tilla e t'i përdorë ato sipas vendit.
Një fjalë tipike gjirokastrite është edhe fjala "kolaq", të cilës vështirë se ia dinë kuptimin të tjerët që nuk janë nga Gjirokastra.
Por çdo të thotë kjo fjalë dhe në cilat raste përdoret? Për këtë ka një histori të vjetër, me zanafillë në pazarin e Korçës.
Ja ngjarja e përcjellë:
Në lagjen Varosh të qytetit të Gjirokastrës, në një nga dyqanet e perimeve shitësi quhej Kolë. Ai ishte njeri i ndershëm dhe detyrën si shitës privat e kryente në mënyrë shembullore. Mallin e kishte shumë të mirë dhe cilësor.
Në mëngjes, përpara se të hapte dyqanin, shkonte tek Ura e Lumit ku aty, kalonte nëpër duar perime e fruta të fshatarëve. I merrte ato dhe i shërbente të freskëta.
Në dyqanin e Kolës, thonë dhe sot, gjeje çdo gjë, dimër e verë, vetëm prodhime bio.
Kola kishte nam edhe si shitës që nuk hante në kandar, përkundrazi, për t`i mbajtur klientët jepte dhe më shumë.
Këtë e dinin të gjithë klientët se, kur peshonte, shikonin që kandari anonte nga ana e tyre, pra e blerësve. E dinte këtë edhe Kola, po bënte sikur nuk shikonte, dhe hidhte dhe ndonjë koment.
Blerësit e asaj kohe, edhe ata të ndershëm, i thoshin: “O Kolë kaq…”, “O Kolë aq…” dhe kështu “nga aq e kaq” Kolës së mirë i mbeti nofka “Kolaq”.
Ja kjo është e gjitha, e tëra, histori e ndodhur këtu e 70 vjet më parë në dyqanin e Kolës në lagjen Varosh të Gjirokastrës që qarkullon dhe sot e kësaj dite.
Për ata që nuk e dinë, sipas fjalorit, fjala "kolaq" ka kuptimin lajkatar, njeri që bën lajka të tepërta.
I tillë shitës ishte Kola që i mbeti nofka Kolaq!