Ish-këshilltari i Fatos Nanos, Ylli Dylgjeri, përmes një statusi në rrjetet sociale ka replikuar ashpër me presidentin e Greqisë, pasi ky i fundit kërcënoi shqiptarët për rrezikun e mos-hyrjes në Bashkimin Europian, nëse nuk ruan fqinjësinë e mirë me grekët.
Dylgjeri, me shumë lezet i kërkon presidentit "të bëjë prokopi" në shtëpinë e tij, duke insistuar fort në çështjen Çame, duke i cilësuar çamët si shqiptarë që janë vrarë dhe masakruar nga grekët, gjë të cilën, sipas Dygjerit, e pranojnë edhe vetë më të moçmit.
Nga Ylli Dylgjeri
Qirje Prokopis bëj më mirë prokopi në vendin tënd…
Tonet e ashpra dhe kërcënime nacionaliste nga shtabi i forcave ajrore nuk na trembin qirje Prokopis, paçka se Ju thoni nuk ekziston Çamëri e çështje çame.
Në tëre Thesprotinë e sotme, që në shqip quhet Çamëri, ka me qindra e mijëra shtëpi e rrënoja që kanë një emër, kanë një zot, kanë një histori.
Kur shteti i lirë në ato territore, autoktonët, pasi të njohin se je shqiptar, të ofrohen e të thonë në vesh: jemi çam! Janë banorët e hershëm që Ju po i quani sot “të ashtuquajtur” çam.
Ashtu siç ka një histori konfrontimi ka edhe një histori dëbimi e genocidi njerëzor mbi to. Edhe sot kur kalon në qafën e pazarit në Paramithi kanë mbetur gjallë pleq të rrjedhur grek, që me gotën e retsinës përpara tregojnë historitë makabre se si ia shqeva fytin me maqer çamit paramithiot. Këto janë historitë që shtyn ditën nacionalizmi pensionist te Ju.
Por…Ju duhet të jeni ndryshe. Ju jeni President i kohëve moderne. Mos na ktheni historitë e mizorive se boll kemi parë ne mediat greke se si i torturuat e ju mbetën në dorë shqiptarët në burgjet Tuaja europiane.
Shqiptarët e lirë, shqiptarët europianë, nuk u trembën nga deklaratat e një brezi që vazhdon të konsumojë histori nacionaliste. Të mbajmë fqinjësinë e miqësinë qirje Prokopis.
Të tjerat t’ia lëmë historisë".