NGA: Marin MEMA
Të gjithë e kanë parë të paktën njëherë Krujën e Gjergj Kastriotit, kalanë legjendare, muzeun e historinë që mbart, por shumë pak njohin qytetin Ilir i cili qëndron në këmbët e tij. Rrënojat e qytetit antik të Zgërdheshit, që shumë dijetarë i kanë lidhur pashmangmërisht me Albanopolin e vjetër të përmendur nga gjeografi, e astronomi Ptolemeu, shtrihen në jugperëndim të qytetit të Krujës.
Kjo qendër e lashtë zinte një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh dhe nga të gjitha anët ka qenë e rrethuar me mure të lartë e të fortë. Brenda tyre gjithçka ishte e zhvilluar duke u përshtatur me kushtet e terrenit, përfshirë edhe ndërtimet e ndryshme me karakter shoqëror që i shërbenin banorëve te tij. Qyteti kishte disa porta, të cilat komunikonin me pjesën e jashtme, sa kohë sipas të dhënave arkeologjike, banesat kanë qenë të shtrira edhe përtej mureve rrethuese.
Profesor Selim Islami është padyshim arkeologu që ka sjellë më shumë se kushdo të dhëna cilësore e të sakta për këtë sit arkeologjik përgjatë hulumtimeve dhe gërmimeve të kryera në vitin 1972. Ndryshe nga vëzhgimet e realizuara nga albanologu Hahn dhe arkeologu austriak Kamilo Prashniker, ai thekson se muret kanë disa periudha ndërtimore. Ata më të hershmit sipas profesor Islamit i përkasin tipologjisë së fortifikimit të Gajtanit që ndodhet pak kilometra nga qyteti i Shkodrës. Rreth shekujve III – II para erës sonë, qyteti ka përjetuar lulëzimin e tij, ç’ka është lehtësisht e dallueshme nga ndërtimet e shumta të kryera, që tregojnë për një jetë të gjallë e të pasur ekonmike.
Qyteti ka patur marrëdhënie të rëndësishme ekonomike me qendrat e tjera ilire , dhe kishte disa punishte ku prodhoheshin tjegulla, enë balte, amfora e qeramika të tjera, por jo vetëm kaq. Gjurmët e shumta të zgjyrës të zbuluara në ketë vend sipas profesor Islamit të bëjnë të kuptosh se ka patur edhe punishte ku përpunoheshin metalet, të cilat farkëtonin vegla të ndryshme të përdorimit të përditshëm.
Gërmimet kane dalë në përfundimin se diku në shekullin e IV të erës sonë, qyteti ka humbur rëndësinë dhe banorët mesaduket janë zhvendosur diku tjetër dhe mendohet se qendra e re ka qenë pikërisht Kruja. Ajo që është interesante, por që sërisht edhe sot mbetet enigmatike lidhet me idenë që albanologu Hahn e mbrojti fort. A ndodhej këtu Albanopoli i famshëm nga ku lindi emri kombëtar i shqiptarëve? Gjithçka është ndalur në këto hamendësime dhe asgjë tjetër nuk ka shkuar përtej. Nga ajo kohë është hedhur edhe një tezë tjetër, se Albanopoli mund të jetë qyteti Ilir i Persqopit që shtrihet jo larg Petrelës.
Cila është e vërteta? Askush nuk mund ta thotë, sa kohë kërkimet janë ndalur, ndoshta askujt nuk i ka interesuar më që të zbulojë Albanopolin dhe historinë e tij. Përkundrazi sot ky sit arkeologjik është në prag të zhdukjes, i mbuluar nga ferrat dhe harresa që e kanë katandisur këtë qytet të lashtë në një vend pa vlerë./JOQ.al