Vrasja e diktatorit Enver Hoxha ka qenë pa dyshim një ndër qëllimet kryesore të ndërkombëtarëve por edhe armiqve të tij të brendshëm.
Megjithatë, plani që për pak çoi në eleminimin e diktatorit, erdhi në nga fundi i luftës antifashiste nacionalçlirimtare në Shqipëri.
Publikimi i dokumenteve dhe të dhënave tronditëse erdhi pas një interviste të historianes angleze Miranda Vickers me gazetën "Dita".
Historiania thotë se ka pasur një komplot të mirë-organizuar për eliminimin e Enver Hoxhës para se të mbaronte lufta.
Në vjeshtë të vitit 1944 jugosllavët për pak ia dolën që t'ia merrnin pushtetin Hoxhës. Bëhet fjalë për plenumin e PKSH-së në Berat.
Vickers tregon se udhëzimet e Titos ishin që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë:
Ka ekzistuar dhe unë kam dokumente për këtë. Që nga 1944 trysnia e jugosllavëve mbi LNÇ-në u shtua në mënyrë të konsiderueshme.
Nga fundi i gushtit, jugosllavët caktuan një shef të ri të misionit të tyre ushtarak pranë shtabit të Hoxhës, kolonel Velimir Stojniçin. Miladin Popoviçi (i cili më vonë do të vdiste parakohe në mënyrë të dyshimtë) ishte tërhequr, pasi ishte konsideruar si tepër miqësor me Hoxhën.
Velimir Stojniçi veproi sipas udhëzimeve të Titos, duke argumentuar se Shqipëria ishte mjaft e vogël dhe e dobët për të mbetur e pavarur pas luftës.
Ndaj, sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë do të ishte më e sigurt të bashkohej me Jugosllavinë, duke u bërë republikë e shtatë e saj. Ndihmësi kryesor i Stojniçit, Nijaz Dizdareviçi, u soll jo vetëm si një udhëheqës organizativ ndaj PKSH-së, por ndërsa lufta po shkonte drejt fundit të saj, edhe po punonte për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi. Hoxha dha shenja se nuk e duronte qëndrimin arrogant të jugosllavëve.
Në nëntor 1944, pak javë para tërheqjes së përgjithshme të gjermanëve nga Shqipëria, Komiteti Qendror i PKSH mbajti një plenum në Berat.
Mbledhja e Beratit përkoi me sesionin e dytë të AVNOJ-it që mbahej në qytetin boshnjak të Jajcës, i cili krijoi Komitetin Kombëtar Jugosllav. Në plenumin e Beratit, përfaqësuesi jugosllav, kolonel Velimir Stojniçi, i mbështetur nga Koçi Xoxe dhe të tjerë, kritikoi udhëheqjen e Hoxhës dhe bënë një përpjekje serioze për ta hequr Hoxhën.
Pas një autokritike të mjerë, Hoxha u lejua të mbetej udhëheqës formal i partisë, por pushteti real iu ngarkua Xoxes. Megjithëse Hoxha u ndje i tradhtuar, në atë kohë ai nuk ishte i vetëdijshëm për komplotin e organizuar kundër tij.
Ndihmësi i Stojniçit, Dizdareviçi këtu ka shkruar: Para Plenumit të Beratit, Nako Spiru dhe një grup donin ta eliminonin Hoxhën, por misioni ynë e kundërshtoi këtë mendim dhe arriti ta mbronte atë. Ne e shpëtuam, por nuk duhet të mburremi tani për këtë veprim…”