Zbardhet ngjarja e ndodhur në mbrëmjen e së enjtes në Napoli.
Aurel Xhili 22 vjeç është gjetur i vdekur ditën e premte pranë një shkolle në Teverola, fshat 20 km në veri të Napolit.
I riu shqiptar u plagos aksidentalisht nga bashkëpunëtori i tij gjatë një tentative grabitje ndaj një çifti italian.
Xhili sëbashku me mikun e tij bullgar dhe të fejuarën e tij ishin duke grabitur një çift të rinjsh italianë, kur gjatë largimit bashkëpunëtori e qëlloi me armë dhe u largua bashkë me vajzën duke e lënë shqiptarin të shtrirë në fushë.
Mirëpo, gjërat nuk kanë shkuar siç duhet pasi i zoti i banesës reagoi duke kundërshtuar autorët, gjest që solli edhe kundër-reagimin e bullgarit që nisi të qëllonte me armë zjarri.
Pronari i banesës u plagos në këmbën e djathtë, ndërsa bashkëpunëtori shqiptar u vra. Dyshohet se vrasja e Xhilit nga Tsvectomir ka qenë aksidentale.
Policia italiane arrestoi 37-vjeçarin bullgar Ivanov Hristov Tsvectomir si dhe 28-vjeçarin italian Clemente Cipresso i akuzuar si personi që bënte roje teksa grabitej banesa.
Shqiptari nuk është emër i panjohur për mediat italiane pasi në nëntor të vitit 2017, u përfshi në një sherr me armë zjarri në sheshin Shën Pjetri në Acerra të Italisë.
Ngjarja e vitit 2017
Ai sëbashku me dy të tjerë përfunduan në prangat e policisë.
Të përfshirë në ngjarje ishin edhe 28-vjeçari Joland Muliu dhe 21-vjeçari Gjergji Piku.
22-vjeçari sëbashku me dy shqiptarët u konfliktuan me dy persona të tjerë për shkak konkurrence dhe më pas sherri degradoi në nxjerrjen e armëve të zjarrit nga ana e tyre.
Muliu dhe Piku mbetën të plagosur në vendngjarje nga njëri prej personave të paidentifikuar dhe u larguan me makinë për në një klinikë aty pranë për t’u mjekuar.
Ata u arrestuan nga policia pasi dalluan automjetin që ishte i mbuluar me gjak dhe shpuar nga plumbat, i parkuar jashtë klinikës.
Xhili, Muliu dhe Piku kishin përdorur edhe dy shkopa bejzbolli gjatë sherrit me italianët, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Kamera e sigurisë afër sheshit ka filmuar gjithçka dhe policia ka bërë të mundur rindërtimin e ngjarjes.
Shqiptarët ishin pa leje qëndrimi në Itali.