Kryeministri Edi Rama, sot edhe një herë u mundua të tregojë se të gjithë drejtorët e institucioneve duhet të mbajnë përgjegjësi për punën e tyre, duke i thurur lavde meritokracisë në përvetësimin e një vendi pune.
Mirëpo, çudirat partiake vijnë nga qyteti i Shkodrës, në të cilin është realizuar përralla e Hirushes, në versionin mashkull. Këtë herë bëhet fjalë për një banakier, të cilit i ka buzëqeshur fati më shumë sesa shndrin dielli në një ditë të nxehtë vere.
Kështu, fjala është për Zamir Lekën, i cili është një militant i thekur i Partisë Socialiste. E me sa duket, siç shkruan Gazeta Express, partia do të dijë ta shpërblejë e ta vlerësojë më së miri punën e tij.
Pra, drejtor i Hipotekës së Shkodrës do të jetë një banakier lokali. Urojmë që Zamiri të mund të përshtatet me pozicionin e punës nëse me të vërtetë do të bëhet drejtor në Hipotekë.
Në këtë mënyrë, meritokracia po triumfon mbi militantizmin dhe punët duket që po shkojnë vaj në këtë shtet.