Nga: MARIN MEMA
Në shekullin e XV mes shumë shqiptarëve të tjerë që u larguan nga trojet arbërore ndodhej edhe një luftëtar pak i njohur që mbante të njëjtin emër me heroin kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeun. Në Shqipëri figura e tij është e patrajtuar, por në zonën e Fermos në Itali kanë mbetur disa gjurmë mjaft interesante. Gjergj shqiptari, siç njihej ndryshe, u zbulua në vitin 1974 nga albanologia italiane G.Lusu, e cila hodhi dritë mbi këtë fisnik përmes një artikulli të botuar në revistën ‘La nuova Albania” ( Shqipëria e re).
Ashtu si shumë luftëtarë, ai zbriti në Itali, por ishte aq i lidhur me tokën e tij sa u rikthye sërish pas për të luftuar ushtritë osmane. Gjergj shqiptari, apo "skipëtario" siç e njihnin vendasit, sipas albanologes mbante shqiponjën si emblemë të familjes dhe ishte krenar për origjinën e tij. Pikërisht në një nga betejat e përgjakshme ballë osmanëve ai mbeti i vrarë. Asnjë detaj tjetër nuk vjen mbi këtë betejë që shënjoi rënien e fisnikut. Nuk dihet nëse ishte një prijës në ushtrinë arbërore apo një luftëtar i thjeshtë. Megjithatë, ka disa të dhëna që hedhin dritë mbi figurën e tij.
Piktura e Carlo Crivellit një artisti të famshëm të periudhës së Rilindjes Italiane diku në vitin 1470 , zbulon disa prej tipareve të Gjergj shqiptarit. Në fakt vepra i përngjan, apo është thuajse e njëllojtë me atë që i kushtohet shenjtit pajtor të vendit, Shën Gjergjit.
A ishte fisniku i ngjashëm me të? Kjo është e vështirë të thuhet, por fakt mbetet se sipas studiuesve piktura ka edhe gjurmë realiste. Pra fisniku shqiptar paraqitet në përballje me një përbindësh ( siç rafigurohet kudo edhe Shën Gjergji) , ndërsa nga pas qëndron kalaja e vërtetë e Fermos dhe rruga e dikurshme që e lidhte, siç mendon albanologia Lusu. Me sa duket autori Carlo Crivelli ka dashur të hyjnizojë Gjergj shqiptarin, i cili pavarësisht se kishte ndërtuar dhe fituar pozita në Itali, u rikthye për të luftuar në vendin e tij ku edhe u vra.
Të dhënat e tjera historike për Gjergj shqiptarin mungojnë. Ato janë të paplota dhe kjo pikturë së bashku me detajet e pakta përmbushëse të albanologes italiane e të sjella nga Profesor Doktor Ferid Hudhri në veprën “Shqiptarët në artin botëror” janë elementet e vetëm të njohur që mundësojnë krijimin e një profili të tijin.
Mendohet se familja e Gjergj shqiptarit me kalimin e shekujve u italianizua duke marrë mbiemrin Salvadori, por në çdo rast pa humbur identitetin dhe rrënjët qartësisht shqiptare. Fisniku arbëror ka qenë financues dhe porositës i disa pikturave për altarin e kishës së Shën Gjergjit në këtë qytet, siç pohojnë edhe studiuesit Moikom Zeqo e Ilia Karanxha.
Fakt mbetet se kjo pikturë tashmë ndodhet në muzeun “Isabel Gardner” në Boston. Shumë vepra të tjera të porositura nga fisniku shqiptar sot janë të shpërndara në vende të ndryshme të botës./JOQ.al