Të dënuar për vrasje, përdhunim dhe trafik droge në Angli, kush janë tre shqiptarët?

Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 15.10.2017, 09:09

Tre shqiptarë të dënuar në Angli për vepra të rënda penale janë ekstraduar për të vuajtur në Shqipëri pjesën e mbetur të dënimin. Njoftime nga policia bëjnë me dije se ekstradimi i tyre është kryer të mërkurën rreth orës 12:30.

Mbi tre të ekstraduari rëndojnë akuza për vrasje, trafik droge dhe marrëdhënie seksuale me dhunë. Kërkesa e tyre për ekstradim është pranuar dhe ata janë transferuar në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tyre.

Shqiptarët e ekstraduar janë: Massimo Fishti, 37 vjeç, nga Tirana, i dënuar me 21 vite burg për vrasje. Sadri Lika, 38 vjeç, nga Durrësi, i dënuar me 20 vjet burg për trafik droge. Edison Mulaj, 21 vjeç, nga Kukësi, i dënuar me 12 vjet burg për përdhunim e grabitje.

Më poshtë veprat e tyre përkatëse në një renditje nga Panorama sipas emrave dhe dënimit.

I DËNUARI PËR VRASJE Rreth dy vite më parë, një gjykatë londineze dënoi me 21 vite burg një emigrant shqiptar, i cili, pas një zënke gjatë një loje shahu, goditi me thikë një fqinjin e tij rumun. Gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Massimo Fishtin, me të drejtë daljeje përpara një komisioni vlerësues pas 21 vitesh nga nisja e dënimit. Ai akuzohet se, mbrëmjen e datës 25 prill 2015, goditi për vdekje me thikë në zemër shtetasin rumun Ioan Suditu, 40 vjeç, baba i dy fëmijëve.

TRAFIKU I KOKAINËS Në vitin 2013, një operacion i strukturave kundër krimit të organizuar në Britaninë e Madhe zbuloi 18 kg kokainë të pastër, që po trafikohej përmes një kamioni frigoriferik nga tre shtetas shqiptarë. Policia arrestoi Sadri Likën, që tashmë u ekstradua për të vuajtur në Shqipëri dënimin e mbetur, Sdamet Gjorllakën dhe Adriatik Spahiajn, nga Kosova. Fillimisht u arrestua shtetasi kosovar, pasi hetuesit vunë re një kamion frigoriferik me regjistrim slloven, të parkuar në një vend të dyshimtë. Nga verifikimet e kryera në kamion u zbuluan 18 kg kokainë, që ishte fshehur mes një ngarkese të ligjshme me akullore. Drejtuesi i kamionit ishte shtetasi kosovar, por menjëherë pas tij Policia u vu në ndjekje të bashkëpunëtorëve, që lëviznin me një automjet tjetër, të cilët po ashtu u arrestuan.

PËRDHUNIMET Një adoleshent shqiptar, i cili sulmoi brutalisht dhe abuzoi seksualisht me dy gra në qendrën e qytetit Gravesend, në Britaninë e Madhe, u dënua me 12 vjet burg në qershor të vitit 2015. Edison Mulaj, aktualisht 21 vjeç, djali i një polici shqiptar, i sulmoi viktimat e tij në shkurt dhe në mars të vitit 2015, pasi kishte ardhur në Britaninë të Madhe në nëntor të një viti më parë. Njëra nga gratë ishte duke shkuar në shtëpi, pasi po kthehej nga puna dhe e dyta ishte gjithashtu duke ecur në këmbë për në shtëpi, në orët e para të mëngjesit pas largimit nga një klub nate.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit