Këto janë pesë gabimet më të mëdha që shqiptarët bëjnë në të shkruar

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 27.09.2017, 19:10

iii

Për të mësuar se sa mirë e dimë ne shqiptarët gjuhën shqipe, mjafton të lexojmë komentet në rrjetet sociale. JOQ.al ka bërë një vëzhgim prej disa ditësh, duke marrë shënime për gabimet më të mëdha të lexuesve tanë. Ne tashmë po shkojmë në 2 milionë fansa në faqen në Facebook, kështu që po guxojmë me të drejtë ta bazojmë përfundimin tonë vetëm te komentet tuaja.

Fatkeqësisht, ne shqiptarët nuk e dimë mirë shqipen. Madje, mëkati më i madh i yni është se në rrjetet sociale, për shembull, kujdesemi të shkruajmë pa gabime në gjuhë të huaj, kurse shqipen e degjenerojmë me çdo mënyrë. Këto janë pesë gabime shumë të shpeshta, të cilat duhet t'i zhdukni nga qarkullimi:

1. Foljet në kohën e kryer të thjeshtë. "(Unë) mësoj" dhe "(ai/ajo) mësoj" janë dy gjëra krejt të ndryshme. E para është një folje në kohën e tashme, veta e parë, njëjës. Tregon se çfarë po bëj unë. E dyta është gabim. Njerëzit duan të thonë "ai mësoi", "ai shkoi", "ai jetoi", pra diçka që është kryer. Këtu ndryshimi është i dukshëm, apo jo? Pra, kur doni të thoni që dikush bëri një punë, zhdukeni shkronjën "j"! Duhet "unë mësova, ti mësove, ai mësoi". Dhe, meqë jemi te foljet, mos shkruani "kur do ta japi filmin?", por "kur do ta japë filmin?".

2. Disa fjalë "çalojnë" nga dialekti. "Gjithshka", "gjelozia", "e mbrekullueshme", "die" apo "qerek" janë me të vërtet gabime trashanike në shkrim. Fjalët e sakta janë "gjithçka", "xhelozia", "e mrekullueshme", "dje" dhe "çerek". Po ta vini re, problemet janë edhe në veri, edhe në jug. Problemi i veriorëve është se nuk e dallojnë shkronjën "ç" nga shkronja "q", apo shkronjën "xh" nga shkronja "gj". Problemi i jugorëve është se zakonisht i shkruajnë fjalët siç i dëgjojnë, edhe pse e dinë se në gjuhën letrare janë ndryshe.

3. Trajtat e shkurtra. Kjo po që do shpjegim! Njerëz, na vjen keq t'ju themi, por te kjo pikë kemi frikë se kurrë nuk ju ka shkuar nëpër mend se gaboni. Kur shkruani "ia thashë atyre", ndaluni dhe mendohuni mirë: duhet "ua thashë atyre". Kujt? Atyre u (thashë). Kë? Atë e (thashë). Kështu, u+e=ua. Nëse shkruani "i thashë atyre", prapë jeni gabim. Duhet "u thashë atyre". Në këtë rast nuk ka një kundrinor (kë?), që merret parasysh, kështu që mjafton trajta e shkurtër "u".

4. Shkronja "ë". Nuk e dimë tamam pse dreqin ndodh kjo, por "ë"-ja është një armike e popullit. Ka nga ata që shkruajnë "kemi bër", "dashurin" dhe "prindrit", siç ka edhe nga ata që shkruajnë "kamë punuar", "djalë punëtorë" dhe "mjaftë". Jo! Fjalët duhen "kemi bërë", "dashurinë", "prindërit", "kam punuar", "djalë punëtor" dhe "mjaft". Për këtë ndoshta duhet t'i hidhni një sy fjalorit dhe të fiksoni format e sakta, sepse askujt nuk i falet të mos e dijë se në njëjës shkruhet "punëtor" dhe në shumës "punëtorë". Sikur keni lindur në Tajlandë dhe sapo erdhët me avion!

5. Gafat që të acarojnë, se s'kanë kuptim fare. Në këtë paragraf po përfshijmë rastet, kur as vetë ai që shkruan nuk e di se si i shpëtoi gabimi. Për shembull, "me vërte" është gabim. Duhet "me të vërtetë". "Ç'farë?" është gjithashtu e pasaktë. Ç'lidhje ka fara me pyetjen "çfarë"? Ah, po, nëse pyesni "çfarë fare keni në shtëpi?", që kthehet ndryshe në "ç'farë keni në shtëpi?", dakord. Po pyesni për farën. Dhe, për ta mbyllur, ju theksojmë se dita e javës dhe muajt nuk shkruhen me të madhe. Pse dreqin shkruani "E Premte" apo "23 Shkurt"?! As që po jua shkruajmë si duhen, se është e tepërt.

Shpresojmë që t'ju kemi ndihmuar, edhe pse duhen edhe nja 1 milion shembuj të tjerë. Gjithsesi, mos i harroni këto! Fjalë burrash!

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit