
Po vjen tetori dhe të gjithë maturantët po presin me padurim nisjen e vitit të ri akademik. Në veçanti, më të emocionuarit janë ata që vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë. JOQ.al më poshtë liston 8 këshilla për këtë brez, duke menduar që të jenë sa më të përgatitur për jetën e re në kryeqytet. Jo gjithçka është siç thonë prindërit apo mësuesit, kështu që nuk ju kushton asgjë ta lexoni këtë shkrim.
1. Shtëpia është diçka shumë e rëndësishme. Nëse jua ka zgjedhur babi diku në periferi dhe ju duhet të ecni 40 minuta për të shkuar në shkollë, ndërrojeni që në janar (të paktën). Ndoshta mendoni se me urban do të zgjidhni gjithçka, por jo. Sidomos nëse jeni femër, sepse futja e duarve nuk është shpikje e rrjeteve sociale, por diçka reale, plus që djersa është asfiksuese me 100 vetë brenda pak metrave katrorë. Këshilla jonë është të zgjidhni një shtëpi pranë shkollës.
2. Mos u habisni nga ditët e para! E kemi fjalën te përshtypjet tuaja fillestare. Nëse mendoni se universiteti është ashtu siç ju duket në ditët e para, do të gaboni rëndë. Fillimisht do të shihni salla të mbushura plot, java e parë do të jetë pushim (sepse ka vetëm leksione, por këtë do e kuptoni më vonë) dhe roja nuk do t'ju bezdisë me pyetje apo duke bërë si drejtor. Pas disa muajsh do të shihni salla bosh, plot orë mësimi të lëna dhe një roje që s'do t'ju lërë rehat, sepse thjesht do shumë informacione, edhe pse ju sheh çdo ditë. Natyrisht, mund të mos ndodhë kudo njësoj.
3. Çfarëdo që t'ju kenë thënë, e mira është t'i blini librat. Ose të paktën fotokopjet. Këshillë sidomos për djemtë: gjithmonë do të pendoheni që nuk keni libra. Ato duhen, qoftë edhe për të kopjuar. Në fund të vitit do të vrisni veten. Librat duhen, o njerëz! A po shkoni në shkollë?
4. Sekretaret janë sekreti. Po, pikërisht kështu. Me ato duhet ta keni mirë gjithmonë, edhe pse janë si kafshë në thuajse çdo aspekt. E dimë se do t'ju duken si shtriga (ndoshta të gjitha ashtu janë, është misioni i tyre në jetë), por ju nuk duhet të ankoheni. Nëse bëheni mikesha me to, aq më mirë. Ju nevojiten për informacionet e fundit, datat, programet, notat, diçka shtesë etj. Na besoni: ato vlejnë!
5. Nisni të merrni shënime! Nëse në gjimnaz jeni mësuar duke mbajtur mend çdo rresht të mësimit, në universitet nuk funksionon kështu. E mira është që të mbani shënime. Këtu po flasim për kapituj prej 50 faqesh, jo tema mësimore me një faqe e gjysmë shkrim. Në fund të vitit do të kujtoheni për ne, kur të keni provime dhe të mos dini se ku dhe si të lexoni. Edhe një herë: shënimet janë nona fare!
6. Gjithmonë duhet të rrini me dikë. Sekreti për të pasur një jetë të bukur studentore është të shoqëroheni gjithmonë me të paktën një person. Nuk duhet të rrini vetëm, sepse quheni fshatar i kufizuar. Flisni me të gjithë, hapeni veten! Në universitet, kush distancohet, është jashtë loje. Që me javën e parë mund të krijoni përshtypjen se jeni dikushi.
7. Lokalet? Përjetësisht "miku" juaj më i mirë! Thjesht ideja se do të pini një kafe ju bën të kuptoni se keni filluar një ditë të re. Ndoshta nuk jua kanë thënë, por kur thua "universitet", automatikisht ke thënë "kafe". Po, çdo dy orë (ose gjithë ditën) itinerari ky është: nga lokali në lokal. Dhe meqë jemi këtu, duhet urgjentisht të mësoni ku janë lokalet kryesore të studentëve. E kemi seriozisht! Po nuk ditët të paktën tri prej tyre, nuk ka shans të quheni studentë Tirone.
8. Grupet e fshehta në rrjetet sociale janë të nevojshme. Çdo njoftim jepet aty. Duhet ta përfshini veten sa më shpejt në to, që të informoheni në kohë reale. Nxitoni të jeni të parët! Po ju kapi kush duke pyetur ndonjë zyshë për orare, ju merr lumi. Sigurisht, sepse do të mendojnë se po silleni si të urtë vetëm për të fituar "ca pikë". Eh, këto pikët! Me kalimin e kohës do t'ju bëhen si sfilatat e modës: pranverë-verë, verë-vjeshtë, vjeshtë-dimër e kështu me radhë.
P.S.: Për kopjimet nuk po shkruajmë sot. Ato janë art më vete, sepse secili ka stilin e tij. Gjithsesi, pa merak! Me kalimin e javëve do të bëjmë disa "investigime" dhe do të lexoni çudira! /JOQ.al/