Sezon i ri e halle të vjetra në futbollin shqiptar. Kur dimë se ekipet vuajnë nga financat jo fort të sigurta, pengesë u bëhet edhe policia e shtetit e cila ka si detyrë të kujdeset për masat organizative të një ndeshje futbolli në të gjithë vendin.
Policia e Shtetit nuk ka marrë përsipër të administrojë sot ndeshjen në Kavajë mes Besës vendëse dhe Tiranës, e vlefshme për kupën e Shqipërisë.
Më e keqja është se drejtuesit e policisë së Kavajës kanë debatuar ashpër me drejtuesit e administratës së sporteve Bashkia Kavajë me pretekstin për vonesë njoftimi.
Më pas, në stadium ka ardhur Policia Bashkiake dhe një polici private, kështu që nga delegati i FSHF-së, Petrit Haxhia, është dhënë miratimi që ndeshja të zhvillohet.
Por natyrshëm këtu lind pyetja: Për çfarë na duhet policia e shtetit kur nuk përgjigjet atëherë kur është nevoja?