“Zot ruaji shqiptarët nga bastardët që u ranë për hise”, shkrimtarja reagon për vizat

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.08.2017, 13:36

Shkrimtarja Flutura Açka ka reaguar ndaj rrezikut për rivendosjen e vizave për Shqipërinë. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Açka ka thënë se ky lajm është më i trishti që shqiptarët mund të merrnin sot. KANABISGATE po na i mbyll edhe dyert e fundit me Europën, ka thënë Açka. Kjo e fundit ka drejtuar një lutje zotit ti ruajë shqiptarët nga bastardët që i ranë për hise, se vetë thotë ajo, nuk ruhen dot.

Statusi i plotë i shkrimtares

Humbësi? Prapë populli...

Sonte në radion holandeze do të ketë një bisedë enkas për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Edhe pse vetëm në projekt – me shpresën se Gjermania do ta refuzojë kategorikisht – ky lajm është më i trishti që shqiptarët mund të merrnin sot. Tani janë në plazhe, kur të freskohet mbase do ta kuptojnë rrëmetin që po vjen. Tani, njerëzit e thjeshtë, ata që duan të vizitojnë fëmijët e tyre jashtë vendit dhe të tjerë që prej kohësh ndihen qytetarë të lirë të kësaj Europe, do të rrojnë me frikën e kthimit të radhëve në spoertelet e ambasadave. Për një vizë!

Një turp kombëtar shqiptar, mjaft që është ideuar diku! Fajin nuk e ka Holanda që është bërë def nga kriminelët shqiptarë, me dhe pa pushtet. A ka njeri përgjegjësi, a di të bëjë njeri ndjesë për këtë? A ka ndokush ndonjë keqardhje, ndonjë pendesë? Jo, absolutisht jo, sepse, në fund të fundit, populli do ta vuajë, jo pasaportat diplomatike, jo pasaportat e shërbimit, jo pasaportat e falsifikuara të kriminelëve, as pasaportat e garantuara të polit-kriminelëve. Populli do të jetë prapë humbësi... dhe populli e di arsyen.

KANABISGATE po na i mbyll edhe dyert e fundit me Europën. Është përsheshi që gatuam vetë, që e kthyem Shqipërinë në fillim në Lazarat e pastaj në Gjitharat! Thuajani shqiptarëve me ton të lartë, me zë dhe me figurë, se gjysma e të ardhurave tona kombëtare, vjen nga kanabisi dhe droga, nga krimi dhe pushteti i korruptuar që është shpesh dorëzan i krimit. Kur u shpreha një herë tejet e shqetësuar në një program televiziv për kanabizimin e plotë të vendit dhe pasojat që do të sillte, një zëdhënëse e politikës, u çorr publikisht duke më fyer e duke më shpjeguar se e kisha gabim dhe se në Holandë lejohej të mbillje canabis sativa. Po lejohet. Sa do të doja ta kisha tani përballë e ta pyesja se ç'mendonte sot kur Shqipëria kërcënohet nga regjimi i vizave, prej të cilit shqiptarët pandehën se kishin shpëtuar?

Holanda po, lejon pesë rrënjë për shtëpi, por jo 5 milion rrrënjë për çdo qeveri. Akrepat e orës shqiptare janë kthyer në kundërkohë. Bravo, hë duartrokisni në teatrin e madh të turpërimit kombëtar:

Zgjedhjet...

Zjarret...

Vetingu cung...

Liria në hekura..

Kriminelët në rrugë...

Media në "burg"...

Vizat e lejëkalimet... në fund.

Zot, ruaji shqiptarët nga bastardët që u ranë për hise, se veten nuk e ruajtën dot...

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit