Nga E.Sh. (që preferon të ngelet anonim)
Përshëndetje JOQ! Unë që po ju shkruaj nuk jam krenar fare që jam shqiptar. Momentalisht jam në vendlindjen time, Dhërmi, një nga perlat e bregdetit shqiptar dhe jo vetëm bregdet, por edhe fshat-muze ku ka 2 manastire dhe 52 kisha.
Kisha 3 vjet pa ardhur këtej dhe ndryshimi është i frikshëm. Është prekur i gjithë bregdeti, është infektuar nga betonet, janë shpërthyer shkëmbinjtë, guvat më të bukura dhe po ndërtohen pallate betoni. Ku është populli shqiptar që po i pihet edhe gjaku?
Janë shkatërruar bregdetet të gjitha. Gjithçka që ka ngelur janë vetëm ca pemë ullinj. Po shkulet gjithçka. Çdo gjë që natyra dhe Zoti e ka ndërtuar për mijëra vjet, këta e prishën për 3 vjet. Më kishte marrë malli të shikoja bregdetin, fshatin dhe bukuritë e tij, por ato janë vetëm një kujtesë tashmë.
Ato pak vende që kanë ngelur vitet e tjera s'do jenë më me këtë ritëm ndërtimi që po bëhet. Këtu ka pasur sorkadhe, po as harabela s'ka më. Më vjen keq për tokën e shqiptarëve! Më vjen të qaj kur shikoj gjithë këtë katastrofë!