Nga Ida Nurce*
Shpesh mendoja me vete “Shyqyr që nuk është rritur çmimi i ujit, se kushedi sa javë do rrinim pa u larë!” Por ja, që ato ditë që kisha këto mendime paskan qenë ditë të bekuara, për të cilat do na marrë malli seriozisht. Çmimi i ujit, si shumë plotësues të tjerë të kushteve minimale të jetëses, do rritet.
Dhe ajo që më bën më shumë habi, është se rroga mesatare në këtë vendin tonë të bukur është 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Çdo gjë është në rritje të vazhdueshme veç rrogës.
Kur them vend i bukur, e them me kuptimin e plote te fjales, sepse eshte nder te vetmit vende ne bote, ku është strehuar bukuria natyrore (me 4 llojet e turizmit), pasuria minerare (me miniera të ndryshme: bakër, krom, mermer, gips etj).
Po i lë mënjanë të gjitha e po flas pak për ujin e pijshëm, çështjë kjo për te cilen kam disa pyetje. Nje arsye e rritjes se cmimit, eshte se do gjejne uje ta sjellin ne Tiranë. Ku do e gjejnë? Si do e sjellin?
Po marr shembull do e sjellin nga Dibra (sepse nga andej jam vetë).
Dibra është një zonë malore, ku uji buron sikur del nga frigoriferi. Është nje zonë e cila jeton mbi burime uji të pijshëm dhe ndoshta më të pastrin në Shqipëri, pasi i janë bërë dhe analizat dhe i tillë ka rezultuar.
Por e dini ku qëndron problemi?! Se ky ujë është në burime, në male, dhe kalon në krua, ku bëhet i papijshëm. Kurrë nuk janë ndërtuar ujësjellës e kanalizime për ta sjellë atë në zonat përreth. Nëpër shtëpitë e tyre uji shkon akoma me orare, dhe i papijshëm.
Dhe banorët e Dibrës, sërish janë blerës të ujit. Madje ishte një periudhë, ku në qytetin e Peshkopisë shpërndaheshin edhe fletëpalosje, në të cilat shkruhej "Kujdes, zijeni ujin para përdorimit!" Katastrofë! Na rroftë që jetonim në mal. Erdhëm për më mirë në qytet, por si i thonë asaj fjalës "Kur çohet të kërceje i varfri, çahet daullja". Ja kështu ndodhi. Menduam për të mirën tonë të jetonim në qytet, të hapnim sytë, të punonim, por shteti nuk të lë rehat.
Shteti ta pi gjakun. Na e futi. Na rriti çmimin e ujit. Po tani, si do ia bëjmë?! Me çfarë do lahemi? Me çfarë do gatuajmë?
Çfarë do pijmë? Me çfarë do e paguajmë? Erdha për të fituar dhe mendja më thotë të kthehem sërish në fshat, të paktën shijoj ajrin e pastër. Ore Bovilla ka ujë plot, por janë justifikime këto, që për të gjetur ujë duhet të rrisim çmimin, sepse sërish çezmat do i keni pa ujë.
Uji është jeta, por jeta në Shqipëri kushton shumë.
