Personazhi në fjalë mban emrin Avni Ago. Është 76 vjeç me origjinë nga Tepelena. Prej gjysmë shekulli jeton në Elbasan. Në këtë qytet e njohin të gjithë. E sheh gjithmonë ngarkuar me dengje plot me letra. Gazetat janë fiksimi i tij, aq sa shpesh e identifikojnë si “Avniu i gazetave”.
Gjatë ditës e sheh nëpër rrugë, spitale apo institucione të ndryshme. Në mbrëmje ai gjen ndonjë strehë pallati apo lulishte ndërsa të vetmet shtroje për të janë rrobat e falura dhe gazetat që nuk ka mundur t’i shesë. Mbulojë ka qiellin e hapur ndërsa ndriçimi është vetëm ai që vjen nga dritat e rrugës ndërsa fqinjë janë kalimtarët e rastësishëm në rrugë.
I zhytur në mjerimin e tij, fjalëpakë, i edukuar, por edhe i përgatitur që të japë çdo përgjigje, falë kjo edhe leximit të përditshëm të gazetave. Por sipas tij, gazetat dhe politika sot janë krejt ndryshe nga e kaluara. Kursimet e jetës së tij ky njeri i ka humbur si shumica e shqiptarëve në çmendurinë e piramidave, ndërsa për shkak të të qenit i vetmuar dhe jashtë vëmendjes së shoqërisë, ai nuk ka mundur dot as të përfitojë nga ndihmat sociale apo banesat për të pastrehët në bashkinë e Elbasanit.
Ai çdo ditë vërtitet nëpër rrugët e qytetit prej më shumë se 50-të vitesh me një grumbull gazetash në dorë, ku janë i vetmi burim financiar që ai ushqehet. Jeta e tij është e mbushur plot sprova, vuajtje e dhimbje të mëdha, pa patur qoftë një mbështetje apo dhe një ambient të ngrohtë për të futur kokën.
Streha e tij nuk është komode, aspak e ngrohtë dhe jashtë normave jetësore. Ai jeton i shtrirë mbi copëza kartoni i mbështjellë me mbetje plastike, të cilat shpesh herë i përdor edhe si dyshek. Ndërsa mbulojë përdor gjithmonë një copë të vjetër plastmasi e cila e mbron nga shiu, vapa, i ftohti madje edhe ngricat të cilat në dimër i kalojnë shpesh herë disa gradë nën zero.
Jeta e tij vazhdon të zvarritet rrugëve të këtij qyteti me varfërinë ekstreme që e ka pushtuar dhe mes frikës për të jetuar. Përballë tij, shumë kush tregohet indiferent. Media, shoqëria, shteti…
Teksa i përmend fjalën “shtet”, ai revoltohet dhe me një gjuhë të ashpër urrejtje shprehet : “Dua ti’a pres mishin me gërshërë atyre që më katandisën në këtë pikë, dhe nuk kam të ngopur. Këtu s’ka shtet! Vdiq me kohë! Ka ardhur koha ku qeverisin kriminelat, hajdutët. Doktorra, polica, gjykatës, prokurorë, avokatë janë bërë një. Ata çdo ditë e më shumë e rrënojnë këtë vend. Mjerë ne, në dorë kujt kemi rënë.!”.
Teksa bisedoj me të për një kohë të gjatë, nuk mungojnë edhe kureshtarët të cilët shikojnë me bisht të syrit, e nuk mungojnë dhe ata persona të cilët na shoqërojnë me një buzëqeshje ironike, mospërfillëse, sikur duan të na përpijnë, apo dhe të na shkelin nën këmbë. Duket absurde se në çfarë nivelesh ka arritur egoizmi njerëzor.
Nuk nguroj ta pyes, nëse ka bërë ndonjëherë kërkese qeverisë për të patur një banesë sa për të futur kokën.
Ai përgjigjet shkurt duke thënë që nuk mund të kërkojë strehim prej hajdutëve, pasi prej tyre është në këtë gjendje të mjerueshme sot.
Pa hezitim me thotë se ligjet ekzistojnë, por duhen njerëzit e duhur për ti zbatuar ato, ndërkohë ai ulet në karrigen e tij të lodhur dhe konsumon darkën. Ndryshe nga të tjerët ai nuk ha gjellë, por bukë thatë, nuk ulet në tavolinë por në pllakat e trotuarit. Nuk pi lëngje frutash por ujë të ndenjur. Ai sdi të bëjë asgjë tjetër, por mban kokën nga qielli dhe vetëm lutet.
Sa pranvera do kalojnë? Sa të ftohtë do bëjë? Sa shira do bien? Sa fjalë do ta vrasin Avniun? Por, ai do të qëndrojë po aty, çdo natë deri në fund të jetës së tij pranë policisë së Elbasanit, me shpresën se një ditë shteti, qeveria, politika, do të vendosin dorën në zemër e do ti ofrojnë një vendstrehim duke ia bërë jetesën më të lehtë. Ai shpreson shumë…dhe do të vazhdojë të shpresojë!/infoelbasani.al
Ndihmoi Olsjan Topalli