Pas publikimit të listës nga kryeministri Edi Rama, ku rendiste 100 persona si fajtorë për korrupsion dhe shpërdorim detyre ka reaguar edhe kryetari në detyrë i opozitës, Lulzim Basha.
Basha e akuzon publikisht Ramën se me publikim e “Listës së Zezë”, ai tashmë nuk ka asnjë dallim me diktatorin Enver Hoxha, i cili nuk njihte ligje dhe ishte vet mbi çdo ligj, sipas demokratit Basha.
Ky është reagimi i plotë i Bashës:
Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rresht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie. Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës. Jo rastësisht në listën e tij nuk janë hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë: mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.
Ai që dhunoi zgjedhjet, tani ka filluar të dhunojë të drejtat e njerëzve. Ndaj duhet bashkimi i çdokujt për një përballje popullore të fortë dhe të vërtetë për ta ndalur dhe për t’u kthyer pushtetin qytetarëve."